Skip to content
Takimi i Tretë i Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit – 16 janar 2014 Konkluzionet operacionale

Takimi i Tretë i Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit – 16 janar 2014 Konkluzionet operacionale

Prishtinë, 16/01/2014

Përfaqësuesit nga Kosova dhe BE-ja u takuan për herë të tretë në kuadër të Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit (Bruksel, 16 Janar 2014). Ky Dialog i Strukturuar ofron një mundësi për diskutime politike të nivelit të lartë që kanë të bëjnë me Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore. Në takim u diskutua lidhur me reformën gjyqësore dhe gjyqësorin, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe parandalimin efektiv të korrupsionit.

Pjesëmarrësit u pajtuan se Kosova ka shënuar arritje të konsiderueshme gjatë vitin 2013, por edhe se ka ende shumë sfida të rëndësishme për t'u adresuar. Komisioni Evropian, EULEX-i dhe PSBE/ Shefi i zyrës së BE-së, siguruan mbështetje të plotë dhe angazhim të vazhdueshëm për të ndihmuar Kosovën në adresimin e këtyre sfidave. Kosova siguroi angazhimin e saj të lartë politik dhe vendosmërinë për të përmbushur objektivat në sundimin e ligjit, një angazhim që është demonstruar edhe nga përparimi i bërë deri më tani.

Pjesëmarrësit nga ana e BE-së theksuan nevojën për përpjekje të shtuara nga ana e autoriteteve të Kosovës për zbatimin e veprimeve të Kompakt marrëveshjes për të cilat u ra dakord bashkërisht, e të cilat janë pasqyruar në udhërrëfyes dhe janë diskutuar në mbledhjet e përbashkëta të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit (BPBSL) dhe të monitoruara përmes mekanizmit përcjellës së Kompakt marrëveshjes.

Të dyja palët pranuan se progres është duke u bërë në drejtim të forcimit të kapaciteteve të institucioneve të Kosovës. Kosova theksoi se mbështetja e vazhdueshme e dhënë nga BE-ja është e rëndësishme, dhe  ndihmon në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për të kryer më mirë dhe në mënyrë më efektive përgjegjësitë e përcaktuara me ligj. Kosova, deri në fund të prillit, do të përgatisë  një Strategji gjithëpërfshirëse të asistencës në fushën e sundimin të ligjit dhe një Plan veprimi tre vjeçar në mënyrë që të përmirësoj edhe më tej këtë fushë dhe të synoj më mirë mbështetjen e BE-së përmes programit IPA II.

Kjo strategji do të iu mundësoj BE-së dhe donatorëve tjerë t'i ofrojnë Kosovës ndihmë strategjike në të ardhmen, ta mbështesin dhe ta përgatisin Kosovën që të marrë gradualisht më shumë përgjegjësi lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Lidhur me zbatimin e reformës gjyqësore dhe harmonizimin e legjislacionit, ana kosovare raportoi se harmonizimi i ligjeve të gjyqësorit, me përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara, është përmbyllur dhe projekt-amendamentet i janë dërguar BE-së për komentim.

Një grup i përbashkët pune i Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial është krijuar për të bërë një vlerësim të zbatimit të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Kohëve të fundit është bërë një investim i rëndësishëm në burimet financiare dhe njerëzore duke shtuar numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshirë edhe Prokurorinë Speciale. Duke potencuar kalimin relativisht të qetë drejt strukturës së re të gjykatave dhe prokurorisë gjatë vitin 2013, Komisioni Evropian theksoi rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës gjatë harmonizimit apo hartimit të legjislacionit. Komisioni gjithashtu theksoi nevojën për më shumë vëmendje nga gjyqësori ndaj menaxhimit të rasteve dhe përpunimit të të dhënave, për përmirësimin e qasjes në drejtësi për komunitetet minoritare dhe për trajtimin e duhur të rasteve shpesh të ndjeshme të të drejtave pronësore.

Lidhur me pavarësinë e gjyqësorit, përfaqësuesit e BE-së shprehën shqetësime rreth komenteve publike të bëra në raste të veçanta, sidomos në lidhje me aktgjykimet përfundimtare, që kanë për qëllim pavarësinë e gjyqësorit. BE-ja shprehu fuqishëm pikëpamjen se parimi themelor është që të përmbahen nga ndërhyrja; komentet publike të zyrtarëve të nivelit të lartë mund të ketë efektin e ndërhyrjes, kërcënimit apo frikësimit. BE-ja inkurajon Kosovën që të respektoj më shumë parimin e ndarjes së pushteteve i cili është përcaktuar me Kushtetutë dhe kornizën përkatëse ligjore. Kjo çështje do të diskutohet më tej në kontekstin e përbashkët të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit.

Kosova konfirmoi politikën e saj ndaj ndërhyrjes së hapur në gjyqësor dhe u pajtua që rastet gjyqësore individuale nuk duhet të diskutohen në publik. Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial theksuan se pavarësia e gjyqësorit është e pakontestueshme dhe se kanë rritur masat për të vepruar ndaj deklaratave publike dhe atyre në media të cilat mund të shihet si ndërhyrje në gjyqësor. Nëpër gjykata themelore dhe zyra prokuroriale janë emëruar koordinatorë përgjegjës për bashkëpunim me media dhe marrëdhënie me publikun, gjë që është e rëndësishme për perceptimin e publikut për pavarësinë e gjyqësorit. Masat mbrojtëse dhe të sigurisë për gjyqtarë dhe prokurorë janë përmirësuar, hapi tjetër është për tu siguruar se këto masa zbatohen dhe po ashtu janë të zbatueshme për personelin përkatës, paditësit dhe dëshmitarët. Për sa i përket problemeve në Shërbimin Korrektues, të identifikuara në raportin e Progresit 2013, Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me EULEX-in, ka krijuar një grup pune që do të monitorojë ecurinë e këtij shërbimi dhe do të punoj në drejtim të adresimit të problemeve.

Institucionet e Kosovës ripohuan angazhimin e tyre për të bashkëpunuar më mirë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa u pajtua se krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten ndër sfidat më të mëdha që do të trajtohen me prioritet absolut. Nevoja për të bërë përparim, për sigurimin e dëshmive konkrete në rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të në përmirësimin e besueshmërinë së statistikave reflektohet në Studimin e Fizibilitetit për Kosovën të vitit 2012. Institucionet e Kosovës kanë krijuar një mekanizëm përcjellës për harmonizimin e raporteve statistikore në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të armëve, trafikimit të lëndëve narkotike, shpëlarjes së parave, si dhe në lidhje me konfiskimin dhe sekuestrimin e aseteve. Këshilli Prokurorial i ka dhënë përparësi trajtimit të rasteve të korrupsionit, përmes miratimit të një plani të veprimit që adreson mungesën e efikasitetit të sistemit prokurorial për rastet e korrupsionit; një koordinator vendor është emëruar për të monitoruar zbatimin e këtij plani veprimi.

Kosova ka paraqitur statistika të përmirësuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.  Çelësi për të arritur progres në këto fusha qëndron në veprime dhe në angazhim; ka të bëjë me zbatimin e legjislacionit dhe strategjive të miratuara si dhe funksionimin e mirë të mekanizmave përcjellës dhe të bashkëpunimit. Sa i përket luftës kundër korrupsionit në përgjithësi dhe luftën kundër korrupsionit në prokurim publik në veçanti, Kosovës i kërkohet të shqyrtoj nevojën për organizimin dhe përmirësimin e themeleve komplekse institucionale, si dhe zhvillimin e prokurimit elektronik.

Skip to content