
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pritur sot në takim, Ambasadorin e ri të Hungarisë, z. Laszlo Markusz, të cilin fillimisht e ka uruar për detyrën e re.
Në këtë takim Ministri Kuçi dhe Ambasadori Markusz, vlerësuan bashkëpunimin që institucionet e Kosovës, në veçanti Ministria e Drejtësisë, kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë me Ambasadën hungareze dhe institucionet e tjera të këtij vendi që veprojnë në Kosovë.
Kuçi theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit me Hungarinë, sidomos pas arritjes së marrëveshjeve në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, të cilat jo vetëm se do të lehtësojnë bashkëpunimin ndër-institucional por edhe do të kontribuojnë në lehtësimin e procedurave në çështjet që ndërlidhen me qytetarët. Ata diskutuan së bashku rreth forcimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, ekstradimeve, shkëmbimit të përvojave në luftimin e krimit të organizuar, shkëmbimit të ekspertizës profesionale ligjore, etj.
Ambasadori z. Markusz shprehu gatishmërinë për përkrahjen e mëtutjeshme të Hungarisë për Kosovën, duke theksuar vullnetin për thellim dhe angazhim për forcimin e marrëdhënieve bilateral në mes të dy shteteve. Ministri Kuçi është shprehur se mirëpret çdo mbështetje të mëtejshme në drejtim të thellimit të bashkëpunimit përmes projekteve mbështetëse nga Hungaria.