Skip to content
Takimi me Ministrin për Çështje Vendore të Shqipërisë, theksohet gatishmëria për thellim të bashkëpunimit

Takimi me Ministrin për Çështje Vendore të Shqipërisë, theksohet gatishmëria për thellim të bashkëpunimit

Prishtinë, 24/04/2015

 Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi ka pritur në takim Ministrin për Çështje Vendore të Shqipërisë, z. Bledi Çuçi, i cili u shoqërua nga Deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, z. Bashkim Fino.

Gjatë këtij takimi u diskutua për  pikat e përbashkëta të përkushtimit të dy shteteve Kosovë – Shqipëri, për fuqizimin e rendit dhe ligjit, ashpërsimin e luftës kundër korrupsionit, si dhe bashkëpunimin në fusha të caktuara, si në legjislacion, ashtu edhe në shkëmbimin e të dhënave mes noterëve, bartjen e evidencave dhe arritjen e  marrëveshjeve të përbashkëta në kuadër të iniciativave rajonale dhe globale. 

“Si dy shtete jemi duke angazhuar dhe përkushtuar për rend dhe ligj, për  integrim evropian si dhe integrim të përbashkët rajonal. Bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri, i ndihmon tërë rajonit, por në veçanti, i ndihmon popullit tonë pranë integrimeve rajonale dhe si rezultat rajoni duhet ta ketë shembull këtë bashkëpunim,” ka thënë Kuçi. 

Ministri Kuçi gjithashtu ka theksuar që është e nevojshme edhe inkurajimi i punës së përbashkët mes prokurorëve të Kosovës dhe Shqipërisë lidhur me investigimin dhe adresimin e krimeve kibernetike dhe atyre financiare. 

Në anën tjetër, Ministri Çuçi, ka vlerësuar angazhimet e përbashkëta, në veçanti në luftën kundër korrupsionit si dhe në intensifikimin e bashkëpunimit në mes të pushteteve vendore të këtyre dy vendeve. 

“Hapësirat për bashkëpunim shumë shpejt do t’i materializojmë me marrëveshje bashkëpunimi, sidomos në shkëmbimet e informacioneve në mes të dy shteteve që kanë të bëjnë kryesisht me fushën e pastrimit të parave apo deklarimit të aseteve si elemente të rëndësishme në forcimin e luftës kundër korrupsionit në të dyja vendet tona,” ka thënë Çuçi.   

Të dyja palët kanë rënë dakord që të intensifikojnë bashkëpunimin dhe marrëveshjet në mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke përdorur edhe fondet e disponueshme të BE-së dhe donatorë të tjerë të rëndësishëm për të tërhequr fonde për projekte ndërkufitare.  

Foto Galeria

Skip to content