
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga ATRC (Advocacy Training and Resource Center), të mbështetur nga USAID, me temën: “Rritja e pjesëmarrjes së grupeve të margjinalizuara në Kosovë”.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ministri Kuçi, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme këtë konferencë duke theksuar se e drejta pronësore është shtyllë e sundimit të ligjit dhe faktor i rëndësishëm për zhvillim ekonomik të një vendi, rregullimi i së cilës është çështje e ndjeshme që prek secilin qytetar të Republikës së Kosovës. Ai tha se promovimi i barazisë në trashëgimi si e drejtë themelore e njeriut është vetëm fillimi për ta ndryshuar qasjen patriarkale në trashëgimi.
”Ngritja e numrit të grave dhe vajzave që trashëgojnë është problem që nuk zgjidhet vetëm me legjislacion. Veprimet e përbashkëta nga të gjithë akterët, duke përfshirë edhe shoqërinë civile, janë më se të nevojshme për ta ndryshuar mentalitetin e tanishëm”, tha Ministri Kuçi.
Ministri Kuçi theksoi se janë të përkushtuar në hartimin e politikave të reja për fuqizimin e së drejtës së barabartë për të trashëguar, në të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim. Legjislacioni në fuqi, duke përshirë edhe Ligjin për Trashëgimi dhe Ligjin për Familje, janë në përputhshmëri me praktikën evropiane, ku njëherit shtoi ai, gjithashtu po punojmë në hartimin e masave mbrojtëse shtesë për të fuqizuar implementimin e legjislacionit në fuqi. “Unë besoj që përmes masave mbrojtëse shtesë, në do të sigurohemi që të drejtat themelore të gëzohen nga të gjithë, në të mirën e të gjithë qytetarëve. Gjithashtu, unë besoj që ne mund të bëhemi model për vendet e tjera të Ballkanit, të cilët e ndajnë po të njëjtin mentalitet”, tha Ministri Kuçi.
Ministri Kuçi tha se politikat që po i propozojmë mund të kontribuojnë në ngushtimin e pabarazisë në trashëgimi, por nuk janë instrumenti i vetëm që do ta sjellë ndryshimin. Ngritja e vetëdijes qytetare përmes ri-formatizimit të debatit për rëndësinë e barazisë në trashëgimi është po aq e rëndësishme. Ai tha se rritja e numrit të grave që trashëgojnë kontribuon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre familjare dhe në zhvillimin e mirëfilltë ekonomik. Sa më e lartë përfshirja e gruas në jetën e ekonomike, aq më i qëndrueshëm do të jetë modeli i zhvillimit tonë ekonomik, shtoi Ministri Kuçi.
Personalisht jam i përkushtuar si Ministër i Drejtësisë, tha Kuçi, që ligjërisht të inkurajojmë ndarjen e barabartë të trashëgimisë së prindërve tek të gjithë fëmijët e tyre, pa dallime gjinore. “Do të përkushtohem maksimalisht që gjatë këtij mandati, qytetarët e Republikës së Kosovës të gëzojnë një kornizë ligjore, implementimi i së cilës do ta mbrojë pronën e tyre dhe interesat e tyre. Me reformat në fushën civile gjatë këtij mandati kemi hyrë në një fazë të re të zhvillimit tonë si shoqëri”.
Në fund të fjalës së tij, Ministri Kuçi tha se veprimet e përbashkëta nga të gjithë akterët, duke përfshirë edhe shoqërinë civile, janë më se të nevojshme për ta ndryshuar mentalitetin e tanishëm në vendin tonë. Ai ka falënderuar USAID-in dhe partnerët implementues që vazhdojnë të bëjnë punë të shkëlqyeshme në drejtim të përmirësimit të sundimit të ligjit në Kosovë.