
Ministrja Haxhiu në fjalën e saj ka theksuar rëndësinë që ka trajtimi i të miturve në qendrat korrektuese, risocializimi dhe riintegrimi i tyre pas vuajtjes së dënimit. Si Ministri e Drejtësisë, tha ajo, jemi të përkushtuar që në institucionet korrektuese të ofrojmë të gjitha kushtet e nevojshme dhe programe adekuate sa i përket trajnimeve dhe trajtimit të duhur për këta të mitur.
Ministrja Haxhiu falënderoi ministrin Manja për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe theksoi rëndësinë që ka thellimi i këtij bashkëpunimi me qëllim të shkëmbimit të përvojave më të mira të institucioneve tona.
Nga ana tjetër, ministri Manja derisa vlerësoi rolin e institucioneve në këtë drejtim, tha se mesazhi i këtij filmi është ai që ne si dy ministri duam të përcjellim jo vetëm për të miturit në konflikt me ligjin, por në radhë të parë për autoritetet dhe për shoqërinë tonë.
“Është tejet me rëndësi që të miturit në konflikt me ligjin të kenë një mundësi të dytë për riintegrimin dhe risocializimin e tyre në shoqëri, dhe kjo i takon institucioneve tona, përfshirë shoqërinë dhe bizneset, që këtyre të miturve t’iu ofrohen mundësitë e barabarta si bashkëmoshatarëve të tyre në profesionet që ata zgjedhin në të ardhmen” tha ministri Manja.
Të pranishëm në shfaqjen e këtij filmi ishin edhe pjesëtarë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe të mitur nga qendrat korrektuese në Lipjan.