
E nderuara familje KELMENDI,
Me rastin e shënimit të katër vjetorit të vdekjes së zonjës Nekibe Kelmendi, kujtojmë bashkëpunëtoren, kolegen, Deputeten, Ministren, veprimtaren e palodhur të çështjes së Kosovës, juristen e dalluar, e cila vendosi profesionin në shërbim të kauzës për liri dhe respekt të plotë të të drejtave të njeriut nga të gjithë, pa dallim.
Zonja Kelmendi nderohet për kontributin e çmueshëm që ka dhënë gjatë rrugëtimit të gjatë për liri dhe pavarësi të vendit, në veçanti për kontributin e Saj në vënien e themeleve të një sistemi të drejtësisë të pavarur, të drejtë dhe të paanshëm. Veprimtaria e zonjës Kelmendi ka prekur çdo segment të shoqërisë, gjurmë të cilat mbesin të palëkundura në histori.
Sot, në këtë përvjetor, gjithashtu kujtojmë bashkëshortin, z. Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tyre të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Ajo do të kujtohet dhe nderohet për vlerat e rralla njerëzore, duke qenë shëmbëlltyrë e gruas dhe nënës së denjë shqiptare. Emri dhe vepra e zonjës Nekibe Kelmendi mbesin burim frymëzimi për të gjithë ne.
Me konsideratë të lartë,
Prof. Dr. Hajredin KUÇI
Ministër i Drejtësisë së Republikës së Kosovës