
Z. Blerim Isufi
Kryesues i Këshillit Prokurorial
I nderuar z. Isufi,
Përmes kësaj letre dëshiroj t'u përciell urimet e mia më të sinqerta me rastin e përzgjedhjes suaj në pozitën e Kryesuesit të Keshillit Prokurorial.
Funksionimi i një sistemi gjyqësor dhe prokurori të pavarur, efikas dhe të paanshem eshte prioritet per te gjitha institucionet e Kosoves. Garantimi i funksionalitetit të Keshillit Prokurorial si organ qendror është esencial për funksionimin e drejtë dhe efikas të sistemit Prokurorial. Ne, besoj që kemi krijuar një infrastrukture ligjore të duhur për garantimin e funksionimit të drejtë dhe efikas të sistemit të drejtesise. Tani kërkohet bashkëpunimi institucional në zbatimin e ligjeve në fuqi dhe kthimin e besimit të qytetareve në drejtesi. Ky qëllim mund të arrihet përmes rritjes së transparencës në punë, efikasitetit të procedimit të rasteve e veçanërisht në fushat e ndjeshme që prekin drejtpërdrejt interesat e qytetarëve.
Duke pasur parasysh ndryshimet legjislative të miratuara gjatë vitit 2015, të cilat kanë për qëllim rritjen e pavarësisë së Këshillit Prokurorial dhe njëkohësisht rritjen e efikasitetit dhe Ilogaridhënies së Prokurorëve dhe sistemit prokurorial në pergjithesi, konsideroj se roli juaj në këtë mandat si Kryesuesi i parë i Këshillit Prokurorial ka një mision të veçantë, të cilin jam i sigurt se do t`a realizoni me sukses.
Unë jam i bindur që përkushtimi juaj ndaj punës dhe dëshirës për funksionimin e sistemit prokurorial të Kosovës do të jetë faktor kyç në zbatimin e reformave në prokurori, luftimin e dukurive negative dhe sigurimin e një ambienti më të qetë dhe më të sigurt për qytetarët e Kosovës.
Dëshiroj të shfrytëzoj rastin t'u shpreh gatishmërinë time dhe të institucionit që unë drejtoj për të vazhduar bashkëpunimin me Juve dhe institucionin që ju drejtoni, jo vetëm në fushat në të cilat tani veçse kemi bashkepunim, me qëllim të forcimit edhe më tutje të sundimit të Rendit dhe Ligjit në Kosovë. Unë i`u garantoj se edhe më tutje do të angazhohem për krijimin e parakushteve për funksionimin e pavarur të prokurorisë dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve në përputhje me standardet Evropiane.
Në këtë aspekt kërkesat dhe sugjerimet e juaja lidhur me përmiresimin e infrastrukturës ligjore janë gjithmonë të mirëseardhura. Reformimi i gjyqësorit dhe prokurorisë është proces i vazhdueshem që kërkon bashkëpunim të ndërsjellë në mes të institucioneve të drejtësisë.
Kosova dhe institucionet e drejtësisë, në veçanti tani më shumë se kurrë duhet të dëshmojnë gatishmërinë për të luftuar në mënyrë të pavarur dhe efikase të gjitha format e kriminalitetit të cilat dëmtojnë jo vetëm qytetarët por edhe interesat e Kosovës në fushën ndërkombëtare.
Duke qenë një ndër kriteret për integrim në Bashkimin Evropian, unë ju ftoj që të bashkëpunojmë në adresimin e të gjitha kërkesave të BE-së në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, Dialogut të Stabilizim Asociimit dhe proceseve të tjera në kuadër të Bashkimit Evropian.
Unë jam i bindur që reformat që tashmë i kemi nisur së bashku, do të arrijnë suksesin e dëshiruar vetëm përmes punës sonë të përbashkët dhe të devotshme. Më lejoni që edhe një herë të shprehë falenderimin tim të sinqertë për përkushtimin tuaj ndaj sundimit të ligjit në të kaluaren, si dhe besimin tim të plotë që kjo nuk do të ju mungojë as në mandatin tuaj si Kryesues i Këshillit Prokurorial
Si Ministër i Drejtësisë, dua të shfrytëzoj këtë rast për të rikujtuar mbështetjen time absolute për të garantuar funksionimin e sistemit unik në Kosovë, si themel i palekundur i sundimit të ligjit në vendin tonë.
Për fund dëshiroj që edhe një herë dëshiroj t`u përcjell urimet e mia për marrjen e detyrës tuaj të re dhe t`u dëshiroj shumë suksese gjatë mandatit tuaj si Kryesues i Këshillit Prokurorial.
Prof. Dr. Hajredin KUÇI
Ministër i Drejtësisë i Republikës së Kosovës