
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, me ftesë të veçantë, sot ka marrë pjesë në promovimin e legjislacionit kundër korrupsionit, i cili u botua edhe në alfabetin BRAIL.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ministri Kuçi ka shprehur kënaqësinë e tij për rastin e dhënë për t’iu drejtuar auditoriumit dhe njëherit theksoi se respekton bashkëpunimin për vite të tëra me shoqatën e të verbërve, ku edhe Kushtetuta, Kodi Penale dhe Kodi i Procedurës Penale janë të shtypura në alfabet BRAIL si dhe angazhimet për Ligjin për këtë kategori i cili tanimë është në fuqi.
Gjatë fjalimit të tij, Ministri Kuçi theksoi se promovimi i sotëm ka tre rëndësi: Fillimisht, që të keni trajtim të barabartë për secilën kategori duke u dhënë mundësi dhe integrim të barabartë në shoqëri, pastaj mundësia për qasje të barabartë në drejtësi që është edhe detyrë e sistemit të drejtësisë dhe në fund, luftimi i dukurive negative dhe korrupsionit nga të gjithë qytetarët përfshirë edhe ata me të pamur të dobësuar.
Po ashtu, Ministri Kuçi përmendi nevojën e angazhimit për botim në alfabetin BRAIL edhe ligjet tjera bazike përfshirë ato që lidhen me të drejta të kësaj kategorie, por edhe ato për çështjet familjare, trashëgimore, pronësore, të arsimit si dhe ligje të tjera të cilat lidhen direkt me këtë kategori të shoqërisë.
Në këtë drejtim, Ministri shprehu gatishmërinë për ndihmë dhe premtoi se edhe Kodi Civil do të shtypet në alfabetin BRAIL dhe në fund i uroi javën e shkopit të bardh me dëshirën që ata të trajtohen dhe të ndihen qytetar të barabartë dhe të jenë kategori e mbrojtur dhe e integruar në shoqëri.
Në fund, Ministri Kuçi në mënyrë simbolike ua shpërndau draftet e ligjeve Shoqatës së të Verbërve.