Skip to content
U certifikuan dhjetë noterët e parë të Republikës së Kosovës

U certifikuan dhjetë noterët e parë të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 27/06/2011

Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, sot u certifikuan dhjetë noterët e parë të Republikës së Kosovës.  

Me këtë rast zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, pohoi se sistemi i noterisë në Republikën e Kosovës nuk është ikje nga drejtësia, por forcim i drejtësisë dhe forcim i bindjes së qytetarëve për drejtësinë në Republikën tonë, duke vlerësuar tre elemente të rëndësishme me themelimin e noterisë, shërbimet më të shpejta dhe profesionale për qytetarët, lehtësimin e punëve të gjyqësorit dhe ushtrimin profesional të punës së noterëve të rinj.

Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, z Hashim Thaçi, i cili bëri ndarjen e certifikatave për noterët e parë të vendit tonë, theksoi se themelimi i noterisë do t’u ndihmojë qytetarëve në çështjet ligjore, por në të njëjtën kohë do t’u lehtësojë punën gjykatave në vend, duke shtuar se si çdo hap i parë, edhe themelimi i noterisë nuk ka qenë i lehtë për t’u bërë, iniciativë e lehtë për t’u mbështetur, apo aktivitet i lehtë për t’u zbatuar.

Ndërkaq, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci, ka thënë se certifikimi i dhjetë noterëve të parë paraqet një ngjarje historike për sistemin juridik të Kosovës, sepse ky është një proces që hyn në kuadër të reformimit rrënjësor të sistemit të gjyqësor të Kosovës, i cili është në rrjedhë e sipër.

Themelimi i noterisë dhe licencimi i dhjetë noterëve të parë është mbështetur nga Zyra Zvicerane në Kosovë si një prej partnerëve kryesor, nga USAID-i dhe nga partnerë të tjerë, ndërkaq jetësimi i këtij sistemi pritet të fillojë nga 1 janari i vitit 2012. 

Foto Galeria

Skip to content