Skip to content
U.D.Ministri i Drejtësisë, Sallahu, mori pjesë në shënimin e 10-vjetorit të themelimit të organizatës “Handikos” në Ferizaj

U.D.Ministri i Drejtësisë, Sallahu, mori pjesë në shënimin e 10-vjetorit të themelimit të organizatës “Handikos” në Ferizaj

Prishtinë, 06/10/2025
U.D.Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 10-vjetorit të themelimit të organizatës “Handikos” në Ferizaj, ku vlerësoi rolin e kësaj organizate në mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara dhe në forcimin e solidaritetit shoqëror.
Ministri Sallahu theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi të mbrojtjes sociale të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, që garanton kujdes dhe mbrojtje ligjore për çdo qytetar, veçanërisht për personat me nevoja të veçanta. Ai rikujtoi se gjatë këtij mandati janë ndërmarrë reforma të rëndësishme ligjore dhe buxhetore, përfshirë miratimin e Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare dhe akteve nënligjore që sigurojnë ofrim më cilësor të shërbimeve.
Në këtë drejtim, Ministri bëri të ditur se mbështetja financiare për shërbimet sociale dhe familjare ka arritur në mbi 6 milionë euro në tri vitet e fundit, ndërsa shtoi se për herë të parë është siguruar edhe fond i veçantë për fëmijët në strehim familjar, përfshirë ata me nevoja të veçanta.
Në fund, Ministri Sallahu u bëri thirrje komunave që të vazhdojnë bashkëpunimin me nivelin qendror në ndërtimin e strategjive dhe politikave që garantojnë shërbime sociale cilësore për çdo qytetar, duke theksuar se vetëm me përkushtim të përbashkët mund të ndërtohet një shtet që i trajton me dinjitet më të brishtët e shoqërisë.

Foto Galeria

Skip to content