Me ftesë të u.d. Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, u zhvillua sot një takim me përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në luftën kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, me fokus edhe fushatën ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Në adresimin e tij, ministri Sallahu theksoi se lufta kundër dhunës është një betejë për drejtësi, dinjitet dhe lirinë e shoqërisë sonë, duke nënvizuar se Qeveria e Kosovës e ka shpallur këtë çështje si prioritet politik e shtetëror. Ai theksoi se: “Asnjë shtet nuk mund të quhet i fortë nëse gratë dhe fëmijët e tij jetojnë në frikë. Çdo rast dhune është një plagë për shoqërinë tonë, por çdo jetë e shpëtuar është një fitore e përbashkët. Qeveria e Kosovës është e vendosur që të mos tolerojë mosveprimin, hezitimin apo kulturën e pandëshkueshmërisë. Askush nuk do të lejohet të qëndrojë mbi ligj dhe asnjë viktimë nuk do të mbetet pa mbrojtje” theksoi Sallahu.
U.d. Ministri gjithashtu potencoi se shteti i së drejtës forcohet vetëm përmes veprimit të vendosur dhe llogaridhënies institucionale, duke paralajmëruar mbështetje të qëndrueshme për strehimoret dhe fuqizim të kapaciteteve të policisë, prokurorisë dhe gjykatave që trajtojnë rastet e dhunës.
Në fund, Sallahu rikujtoi që Ministria e Drejtësisë ka realizuar qindra aktivitete në këtë drejtim duke marrë dhjetëra masa ligjore, si dhe ritheksoi zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar me vendosmëri këtë rrugë, duke u angazhuar që Republika e Kosovës të bëhet një shtet ku ligji respektohet, viktimat mbrohen dhe drejtësia sigurohet për të gjithë qytetarët.