Skip to content
U hap ekspozita “Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë 1998-1999”

U hap ekspozita “Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë 1998-1999”

Prishtinë, 09/10/2012

Në prani të personaliteteve të ndryshme të jetës politike e kulturore nga Kosova, Shqipëria, kori diplomatik i akredituar në Tiranë dhe e organizuar nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL), i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Muzeu Kombëtar të Shqipërisë, në ambientet e këtij të fundit, mbrëmë u hap ekspozita “Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë 1998-1999”.

Në hapje të kësaj ekspozite, Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi tha se kjo ekspozitë pasqyron një pjesë të përpjekjeve të popullit shqiptar për liri, në anën tjetër sipas tij, paraqet doktrinën shkatërruese të regjimit serbë ndaj monumenteve kulturore, historike e fetare gjatë luftës së viteve 1998-99.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Dautë Xhemajlin falënderoi institucionet e shtetit shqiptar, Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë dhe IHKL-në për mundësimin e hapjes së ekspozitës dhe tha se krimet e luftës ndaj trashëgimisë kulturore nuk janë të panjohura, duke shtuar se ato janë atakuar me qëllim-shkatërrimin e kategorive të 1caktuara të trashëgimisë kulturore.

Zëvendësministrit foli edhe për qëllimin e themelimit të IHKL-së, që sipas tij si mandat ka hulumtimin, mbledhjen, sistemimin dhe publikimin e të dhënave mbi krimet e luftës dhe shtoi se fushë e kompetencave të Institutit është edhe hulumtimi e mbledhja e të dhënave të krimeve ndaj trashëgimisë kulturore

Prof. Dr. Zejnullah Gruda, Drejtor i IHKL-së, para të pranishmëve ka prezantuar të gjeturat e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore në Kosovë, duke bërë një krahasim me të gjeturat e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore në rajon.

Hapjen e kësaj ekspozite e ka përshëndetur edhe Ministri i Kulturë i Republikës së Shqipërisë, Aldo Bumçi, i cili ka vlerësuar politiken që po ndjekin institucionet e Kosovës, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Ekspozita e cila është hapur në vazhdën e shumë aktiviteteve tjera që po organizohen për nderë të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, përbehet nga 100 fotografi dhe do të jetë e hapur deri me 14 tetor 2012.

Foto Galeria

Skip to content