
Sot në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, u bë licencimi i 87 ndërmjetësve të parë të Republikës së Kosovës.
Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, i cili tha se Ministria e Drejtësisë do të mbajë ndërmjetësimin si një nga prioritetet e saj dhe do të ndihmoi në zbatimin e tij si formë alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe shtoi se kjo ceremoni zyrtare është dëshmi e fuqishme se institucionet kosovare dhe me përkrahjen e miqve ndërkombëtar, mund të ndikojnë praktikisht dhe pozitivisht në përmirësimin e ambientit ku jetojmë, qasjes në drejtësi dhe në krijimin e besimit më të mirë në institucionet e drejtësisë në Kosovë.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili pasi përgëzoi ndërmjetësit për licencim, kërkoi nga ta të jenë të përkushtuar në punën e tyre, që sipas tij nuk është punë që shkon vetëm në të mirën e ndërmjetësve dhe palëve në ndërmjetësim, por edhe në të mirën e tërë shoqërisë kosovare.
Ndërsa, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, ofroi përkrahje për institucionin e ndërmjetësimit me anë të referimit të lëndëve në këtë institucion, në përgatitjen e ndërmjetësve dhe edukimin e gjyqtarëve.
Në anën tjetër, përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Osnat Lubrani, tha se krijimi i institucionit të ndërmjetësimit është pjese e përpjekjeve për të forcuar sundimin e ligjit në Kosovë.
Përveç licencimit të ndërmjetësve, Ministra e Drejtësisë sot ka ndarë mirënjohje edhe për UNDP-në, Programin SEAD të USAID-it, Projektin e Binjakëzimit, Partners Kosova, CSSP-në, ARTC-në, UNICEF-in, Ambasadën zvicerane dhe atë norvegjeze, të cilat kanë mbështetur krijimin e institucionit të ndërmjetësimit.