Skip to content
U mbajt ceremonia e themelimit të Odës së Përmbaruesve Privat

U mbajt ceremonia e themelimit të Odës së Përmbaruesve Privat

Prishtinë, 22/01/2015

Ministri i Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e themelimit të Odës së Përmbaruesve Privat në Republikën e Kosovës, nismë e Ministrisë së Drejtësisë, e përkrahur nga USAID-i.

Kuvendi themelues i Odës së Përmbaruesve Privat shënon krijimin e organit profesional që do të marrë përsipër një sër detyrash, duke përfshirë edhe mbikëqyrjen e profesionit, sigurimin e standardeve më të larta etike dhe sigurimin e drejtësisë për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ministri Kuçi ka folur për rëndësinë që ka themelimi i kësaj Ode, duke kontribuar në kompletimin e arkitekturës së drejtësisë dhe plotësimin e standardeve në shërbim të qytetarëve. 

“Duke ndërtuar sistemin e Përmbaruesve Privat, atë të Noterisë, të Ndërmjetësuesve, Administratorëve Falimentues dhe të Arbitrazhit, ne plotësojmë arkitekturën e drejtësisë që tanimë është realitet në Republikën e Kosovës. Kjo do t’i ndihmojë gjyqtarëve, prokurorëve në zgjidhjen e lëndëve, por mbi të gjitha do të ndihmojnë në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kuçi.

Ai ka theksuar se motoja e tij gjatë mandatit të dytë është “besimi në drejtësi”, duke u shprehur i bindur se me punën të cilën do ta bëjnë përmbaruesit privat, gjyqtarët dhe prokurorët, punën të cilën e bëjnë noterët, administratorët falimentues dhe të tjerët, do t’ia dalin që ta rrisin besimin në drejtësi.

Gjatë kësaj ceremonie, Ministri Kuçi ka thënë se e gjithë kjo punë është arritur në koordinim të plotë me Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, ndërkohë që ka shprehur mirënjohje për punën e madhe që kanë bërë gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe kontributin e madh të partnerëve ndërkombëtar. 

“Themelimi i profesionit të Përmbaruesit Privat është rezultat i angazhimit tonë të vazhdueshëm, të përkushtimit dhe filozofisë tonë, si dhe mbështetjes të pa rezervë nga USAID. Gjatë viteve në vijim, planifikojmë implementimin e strategjisë për asistencë teknike, që është miratuar bashkërisht me partnerë ndërkombëtar, duke siguruar rritjen e fondeve dhe projekteve në fushën e drejtësisë, gjë që nënkupton edhe shërbime më të mira për qytetarët”, ka thënë Kuçi.

Ministri Kuçi në fjalën e tij ka premtuar përkrahjen e tij si Ministër i Drejtësisë, duke theksuar se Përmbaruesit Privat do ta kenë edhe një komision për inspektimin e punës së tyre. “Ju do ta keni fuqinë e plotë ligjore për punën tuaj, por njëkohësisht do ta keni edhe mbikëqyrjen e plotë ligjore që punën tuaj ta realizoni sipas ligjit”.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë Drejtoresha e Zyrës për Demokratizim dhe Qeverisje të USAID-it në Kosovë, Sara Buchanan, Drejtori i Programit për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial,  David Greer, përmbarues privat, përfaqësues të Këshillit Gjyqësor, atij Prokurorial, gjyqtarë dhe prokurorë. 

Foto Galeria

Skip to content