
Në Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim të hartimit të Projektligjit për Ekspertët Gjyqësorë, u mbajt takimi i parë i këtij grupi punues.
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, pasi i përshëndeti të pranishmit, theksoi se Ministria e Drejtësisë, për herë të parë po e rregullon me ligj çështjen e ekspertizave gjyqësore.
“Ky ligj ka një rëndësi të veçantë për sistemin e drejtësisë në përgjithësi, dhe si i tillë i ka munguar sistemit tonë juridik, andaj ne e kemi paraparë në programin legjislativ të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2022, dhe krahas shumë angazhimeve që kemi si Ministri, sot po fillon puna në hartimin e këtij projektligji shumë të rëndësishëm”, theksoi zëvendësministrja Shala.
Projektligji do të rregullojë çështjen e ekspertizave, duke përcaktuar kushtet që duhet plotësuar personat fizikë dhe juridikë për të kryer ekspertiza, të drejtat dhe përgjegjësitë e ekspertëve gjyqësor, si dhe autoritetin kompetent për licencim.
Grupi punues kryesohet nga Ministria e Drejtësisë dhe në kuadër të tij bëjnë pjesë edhe përfaqësues nga institucionet relevante.
Pas hartimit të draftit nga ana e grupit punues, i njëjti do të procedohet për konsultime përkatëse, paraprake dhe me publikun, me ç’ rast Ministria e Drejtësisë i mirëpret komentet dhe propozimet, për t’u siguruar që procesi i hartimit dhe finalizimit të projektligjit për Ekspertët Gjyqësorë të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.