
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe Ministri i Drejtësisë (MD), Abelard Tahiri, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial (KPK), Blerim Isufaj, udhëheqësja e Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Aleksandra Papadopoulou dhe përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Kryesuesi Idrizi përshëndeti takimin e Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit dhe i quajti takime me vlerë dhe dobi të veçantë, ku si të tilla i ofrojnë mundësinë akterëve kryesor të sistemit të drejtësisë në Kosovë të diskutojnë në lidhje me vështirësitë dhe sfidat në këtë fushë. Idrizi përsëriti zotimin e palëkundur për bashkëpunim me të gjithë partnerët për sundimin e ligjit me qëllimin përfundimtar të krijimit dhe konsolidimit të një sistemi të drejtësisë të ndërtuar mbi premisat e hapjes, llogaridhënies, efikasitetit dhe meritokracisë.
Në fillim të këtij takimi, anëtarëve të Bordit Bashkërendues për Sundimin e Ligjit ju prezantua Raportit i Progresit për Marrëveshje Kompakte. Në këtë Raport të periudhës korrik 2016 deri në qershor 2017, thuhet se është arritur progres në avancimin e sektorit për sundimin e ligjit, pasi që institucionet e Kosovës kanë rritur aftësinë t’i adresojnë vet sfidat e sundimit të ligjit. Ky takim është një shenjë e angazhimit për agjendën e përbashkët të sundimit të ligjit në Kosovë, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të Institucioneve të Kosovës për të adresuar problemet të ndërhyrjeve politike dhe korrupsionit.
Sa i përket Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, Raporti flet me theks të veçantë për administrimin e procesit të përzgjedhjes dhe rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve përfshirë edhe veriun e vendit. Gjithashtu, numri i madh i lëndëve të pazgjedhura në sistemin gjyqësor mbetet shqetësim për këtë Raport.
Duke pasur parasysh punën e ndërmarrë në vitin e fundit, Bordi i Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit mbetet i zotuar që të zhvilloi edhe më tutje sektorin e sundimit të ligjit në Kosovë, në përputhje me standardet evropiane dhe praktikat më të mira, sipas kërkesave të përcaktuara për procesin e përafrimit të Bashkimit Evropian (BE), me Kosovën. Në këtë kontest familja e BE-së, i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të marrin më shumë përgjegjësi për ndërtimin e sundimit të ligjit që është i qëndrueshëm, llogaridhënës dhe i pavarur – thuhet në mes tjerash në këtë Raport.
Ministri i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri, gjatë takimit tha se Koncept Dokumenti për Pezullimin e Zyrtareve Publik me rastin e ngritjes së aktakuzave për korrupsion, do të procesohet shumë shpejt për diskutime publike dhe njëherit do të dërgohet në Qeveri për Miratim.
Shefja e Misionit EULEX, zj. Alexandra Papadopoulou, e theksoi rëndësinë e takimeve të BPSL-së si një forum i duhur për ta adresuar suksesin dhe sfidat e mbetura në kuadër të sundimit të ligjit në Kosovë. Ajo i përgëzoi institucionet e Kosovës për progresin e tyre të deritanishëm, siç edhe është përshkruar në Raportin e Progresit për Marrëveshjen Kompakte. Zj. Papadopoulou e përshëndeti profesionalizmin e Policisë së Kosovës për llogaridhënien e tyre dhe qëndrueshmërinë në ofrimin e shërbimeve të zbatimit të ligjit, ndërsa e përgëzoi Doganën e Kosovës për vazhdimin e performancës së saj në nivel të lartë, veçanërisht sa i përket arkëtimit të hyrave.
Ajo i bëri thirrje institucioneve kosovare të sundimit të ligjit që t’i intensifikojnë angazhimet e tyre për adresimin e sfidave të mbetura dhe t’i përgjigjen problemeve të përgjithshme si ato të ndërhyrjes politike dhe korrupsionit.
Ajo theksoi se gjatë periudhës së ardhshme priten përmirësime nga Shërbimi Korrektues i Kosovës sa i përket zhvillimit të tij drejt standardeve të BE-së. “Ndërhyrjet e vazhdueshme në punën e këtij institucioni, veçanërisht në trajtimin e të burgosurve të profilit të lartë, është pengesë për funksionimin e pavarur të tij si dhe e vështirëson progresin.”
Zj. Papadopoulou e shprehu zotimin e vazhdueshëm të EULEX-it për ta ndihmuar Kosovën që të krijojë një sistem efikas dhe të pavarur të sundimit të ligjit, të lirë nga ndërhyrjet politike dhe në përputhje me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira.