Skip to content
U miratua Projektligji për Avokaturën Shtetërore

U miratua Projektligji për Avokaturën Shtetërore

Prishtinë, 12/09/2012

Sot, në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës është miratuar Projektligji për Avokaturën Shtetërore, projektligj i sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë. 

Në prezantimin e bërë lidhur me këtë projektligj, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi tha së miratimi i këtij projektligji, paraqet njërin ndër prioritetet dhe angazhimet e Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim të krijimit të një sistemi të qëndrueshëm funksional dhe të pavarur, në përfaqësimin e autoriteteve publike të Republikës së Kosovës, në procedurat gjyqësore, të arbitrazhit dhe  administrative.

“Me këtë Projektligj rregullohet themelimi, organizimi dhe kompetencat e Avokaturës Shtetërore të Republikës së Kosovës, kushtet dhe procedura për emërimin dhe shkarkimin e Avokatit të Përgjithshëm Shtetëror dhe të avokatëve shtetëror, mjetet për punë, autorizimet e tyre, të drejtat dhe detyrimet, si dhe çështjet tjera me rëndësi për punën e saj”, tha Ministri Kuçi. 

Sipas Ministrit Kuçi me projektligjin për Avokaturën Shtetërore, ushtrimi i kompetencës së përfaqësimit të autoriteteve publike në procedurat gjyqësore të arbitrazhit dhe  administrative, avancohet nëpërmjet të një autoriteti të veçantë, përkatësisht Avokaturës Shtetërore, si organ qendror i administratës shtetërore. 

Projektligji përmban gjashtë krerë me gjithsej 34 nene dhe është përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me institucionet kompetente si Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial, Lidhja e Juristëve të Kosovës dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të cilat e kanë ndihmuar ketë proces përmes ekspertizave dhe komenteve profesionale. 

Projektligji për Avokaturën Shtetërore, nga Qeveria pritët të kalojë për procedim të mëtejshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

Foto Galeria

Skip to content