
Sot në lagjen Prishtina e Re, në prani të shumë përfaqësuesve të institucioneve më të larta vendëse dhe ndërkombëtare u vu gurthemeli i Pallatit të Drejtësisë.
Me këtë rast zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, i cili bëri inaugurimin e vënies së gurthemelit, tha se ndihet i nderuar që po merr pjesë në vënien e gurthemelit të Pallatit të Drejtësisë, që njëherësh është forcim i themeleve të drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, theksoi se Pallati i Drejtësisë do të jetë adresa e drejtësisë e Republikës së Kosovës, duke shtuar përkushtimin dhe angazhimin e tij për ndërtimin e një drejtësie me standarde evropiane dhe ndërkombëtare dhe të barabartë për të gjithë.
Edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, e cilësoi këtë si një vepër mjaft të rëndësishme për sundimin e ligjit në vend, duke shtuar se “besimi i qytetarëve në institucionet e vendit varet shumë nga sistemi i drejtësisë, nga puna e prokurorëve dhe gjyqtarëve, nga profesionalizimi, përkushtimi, ndershmëria, nga puna e pakompromis e tyre, që janë në shërbim vetëm të drejtësisë dhe që zbatojnë vetëm ligjin, në secilin rast dhe ndaj secilit”.
Ndërkaq, kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, tha se vënia e këtij gurë-themeli për Pallatin e Drejtësisë tregon rrugëtimin e pandalshëm të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj drejt fuqizimit të sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, institucioneve të saj demokratike dhe rrugën e saj të pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë janë ndarë 33 milion euro, 25 milion nga Komisioni Evropian dhe 8 milion nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe ky projekt pritet të përfundoj në vitin 2013.