
Presidenti i Unionit Ndërkombëtar të Noterisë Jean–Paul Decorps, i ka dërguar letër zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, në të cilën letër thuhet së Unioni Ndërkombëtar i Noterisë (UINL), deri më tani me shumë kujdes i ka përcjellë të gjitha veprimet e ndërmarra nga ana e Ministrisë së Drejtësisë e Republikës së Kosovës, drejt themelimit të shërbimit noterial në Republikën e Kosovës.
Me tutje në këtë letër thuhet: “UINL mbajtjen e riprovimit të noterisë e vlerëson tejet pozitiv, ngase është mbajtur duke i respektuar të gjitha dispozitat ligjore që e rregullojnë mbajtjen e këtij riprovimi. Ne konsiderojmë se riprovimi me shkrim i mbajtur në Vushtrri, i ka plotësuar të gjitha standardet e nivelit botëror bashkëkohor për mbajtjen e një provimi noterial. Po ashtu, pjesa me gojë e riprovimit të noterisë është mbajtur në nivel të lartë të transparencës. Jam jashtëzakonisht i lumtur që tani në Republikën e Kosovës keni 48 Noter të certifikuar dhe tash shërbimi noterial është në rrugë të mirë të funksionalizimit dhe atë në koordinim të plotë me Institutin Ndërkombëtar për Studime të Larta të Noterisë. Ne jemi absolutisht të bindur që më ndihmën e IHN-së, ju do të bëni hapa të mëtutjeshëm që në një të ardhme shumë të afërme të bëheni anëtare e UINL-së.
Në vazhdën e kësaj, i nderuar zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, më lejoni që në emër të UINL-së t’ju përgëzoj për veprimet ligjore dhe pozitive që keni marrë drejt funksionalizimit të shërbimit noterial në vendin tuaj, e që kanë rezultuar me progres të jashtëzakonshëm. Natyrisht, ne edhe me tutje do të vazhdojmë të kemi në agjendën tonë shërbimin noterial të Republikës së Kosovës. Andaj, i nderuar z. Kuçi, në përpjekjet tuaja që të funksionalizoni një shërbim noterial bashkëkohor dhe në përputhje me parimet dhe standardet më të larta të noterisë botërore, ne edhe më tutje mbetemi të përkushtuar që t’ju ofrojmë mbështetjen dhe asistencën tonë të plotë drejt funksionalizmit të shërbimit noterial në Republikën e Kosovës”.
Po ashtu, presidenti i UINL-së, Jean–Paul Decorps, ka shprehur dëshirën për të vizituar Kosovën dhe për të realizuar një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, me rastin e fillimit të punës së noterëve të parë.