Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, vizitoi sot Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, ku u informua nga afër me rezultatet e arritura deri më tani, llojin e kërkesave që qytetarët paraqesin dhe mënyrën se si po ofrohen shërbimet në dobi të tyre.
Ministri Sallahu vlerësoi punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit të Agjencisë, duke theksuar rëndësinë që kjo strukturë ka në sigurimin e qasjes së barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët, veçanërisht për ata me gjendje të rënduar ekonomike.
Sallahu u shpreh se Ministria e Drejtësisë do të mbështesë fuqishëm Agjencinë në përmirësimin e kushteve të punës dhe avancimin e shërbimeve, në mënyrë që ndihma juridike falas të jetë gjithnjë më e aksesueshme dhe më cilësore.
Në fund, Sallahu theksoi se përmes kësaj mbështetjeje institucionale synohet forcimi dhe garantimi i mbrojtjes efektive të të drejtave të qytetarëve në Republikën e Kosovës.