Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka pritur në takim avokatët e Avokaturës Shtetërore. Në këtë takim u diskutua mbi avancimin e mëtejmë të punës së Avokaturës, si një prej mekanizmave më të rëndësishëm për mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës.
UD Ministri Sallahu kujtoi se prej se kjo Qeveri ka marrë mandatin, është dyfishuar numri i avokatëve të Avokaturës Shtetërore, është rritur paga sipas kërkesës së tyre, janë siguruar hapësirat e nevojshme për punë dhe janë blerë vetura të reja për të mbështetur punën e Avokatit të Përgjithshëm. Po ashtu, për secilin avokat është siguruar pagesë shtesë për shkak të vëllimit të punës.
Ai theksoi se pavarësisht ngarkesës së madhe, pothuajse çdo kërkesë e Avokaturës është mbështetur nga kabineti i Ministrisë së Drejtësisë, si dëshmi e qartë e përkushtimit të Qeverisë për ta fuqizuar këtë institucion.
Sallahu ritheksoi vendosmërinë e Ministrisë së Drejtësisë, për të ngritur llogaridhënien dhe për të siguruar që shteti të mbrohet me profesionalizëm dhe integritet në çdo proces gjyqësor, duke ofruar bashkëpunimin e plotë të tij dhe kabinetit me të gjithë anëtarët e Avokaturës Shtetërore.