
Gjatë vizitës në Bruksel, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, sot kanë zhvilluar takim me përfaqësues të Bashkimit Europian nga Zyra e Baroneshës Ashton, udhëheqësit e operacioneve civile të BE-së, përfaqësues të Komisionit Evropian dhe përfaqësues të EULEX-it, lidhur me mandatin e EULEX-it pas 15 Qershorit 2014, tranzicionin dhe transferimin e kompetencave tek institucionet e Kosovës.
Në këtë takim u diskutua edhe për veprimet juridike që duhet ndërmarrë me qëllim të realizimit të tranzicionit dhe transferimit të suksesshëm të kompetencave me fokus në kompetencat dhe pozitat menagjuese. Në këtë drejtim parashihet arritja e marrëveshjes përmes shkëmbimit të letrave në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila me pastaj duhet të ratifikohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga 2/3 e deputeteve, si dhe amendamentimet e ligjeve që tangohen nga transferimi i kompetencave nga EULEX-i të institucionet vendore.
Lidhur me përmbajtjen e letrave që duhet të shkëmbehen, ende nuk ka pajtueshmëri në mes palëve pasi delegacioni i Republikës së Kosovës ka kërkuar kohë për harmonizim me institucionet kompetente në këtë proces, përfshirë edhe ato të drejtësisë, si dhe subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës.
Takimi ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje dhe pritet që në ditët në vijim të vazhdohet me takime pas konsultave të domosdoshme nga të dy delegacionet.