
Me rastin e fillimit të fazës së tretë të aksionit të përbashkët të mbështetur nga Bashkimi Europina dhe UNICEF-it, në të cilin marrin pjesë Ministria e Drejtësisë dhe disa institucione tjera, sot u mbajt takimi me temën “Mbështetja e Drejtësisë për Fëmijët në Kosovë” si dhe u shfaq filmi dokumentar “Edhe një mundësi”, me ç’rast ka marrë pjesë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuci, Shefi i Operacioneve të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Christof Stock, Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad dhe përfaqësues të institucioneve tjera.
Me këtë rast Ministri Kuçi ka theksuar progresin që është arritur në fushën e drejtësisë për fëmijët përmes ndërtimit të kapaciteteve të të gjitha institucioneve dhe profesionistëve përkatës. “Duhet rikujtuar se sistemi i drejtësisë penale në Kosovë është ndërtuar i tillë që kujdes t’i kushtohet më tepër riintegrimit të fëmijëve sesa formave të dënimit të tij, por natyrisht pa e lënë anash edhe vetëdijesimin për efektet e dëmshme që ka sjell vepra e tij”, ka thënë Kuçi.
Për dobinë e këtij projekti kanë folur edhe Shefi i Operacioneve të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Christof Stock, Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad.
Ky projekt do të mundësoj që fëmijët të cilët janë në kontakt me drejtësinë penale, të trajtohen nga sistemi i drejtësisë në përputhshmëri me standardet europiane dhe ndërkombëtare, përfshirë këtu Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës. Qëllimi i shfaqjes së dokumentarit ishte vetëdijesimi i publikut për procedurat që ndërmerren në realizimin e një procedure penale për ata të mitur të cilët kanë rënë në kundërshtim me ligjin, për trajtimin e të cilëve merret Shërbimi Sprovues dhe Korrektues i Kosovës, në mënyrë që të gjenden metodat më adekuate dhe shfrytëzimin e legjislacionit penal për korrektimin, risocializimin dhe riintegrimin e tyre si pjesëtarë të barabartë të kësaj shoqërie.