
Sot, është mbajtur takimi strategjik i Këshillit Drejtues për Projektin për Ngritjen e Kapaciteteve CDF (Capacity Development Facility), i cili si qëllim kryesor ka mbështetjen e institucioneve publike të Kosovës në nivel qendror, komunal, si dhe agjencitë qeveritare në fuqizimin e institucioneve demokratike të vendit.
Projekti CDF zbatohet që nga viti 2004 nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP). Viteve të fundit Ambasada e Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë ka qenë dhe mbetet donatori më i rëndësishëm i këtij projekti. Për këto nëntë vite projekti ka mbështet me këshilltarë shumë Ministri të Qeverisë së Kosovës, zyrën e Presidentit, zyrën e Kryeministrit, zyrën e Krye-parlamentarit, si dhe agjencitë e pavarura shtetërore. Këta këshilltarë krahas rolit këshillëdhënës kanë ndihmuar në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore nëpër institucionet përkatëse. Këshilltarët e CDF kanë ndihmuar institucionet e Kosovës të përparojnë në përmbushjen e kërkesave në kontekst të procesit të integrimit evropian dhe reformave të administratës publike.
Ky projekt do të vazhdojë t’i përkrah institucionet publike të Kosovës edhe për një periudhë tre-vjeçare, gjatë të cilës zhvillimi i kapaciteteve do të përqendrohet në avancimin e procesit të integrimit evropian, sundimit të ligjit, reformës së administratës publike dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të burimeve njerëzore brenda institucioneve qeveritare.
Në takimin e Këshillit Drejtues morën pjesë: z. Hajredin Kuçi, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë, znj. Osnat Lubrani, Përfaqësuesja Rezidente e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), z. Luan Shllaku, Drejtor ekzekutiv i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), z. Jan Braathu, Ambasador i Norvegjisë në Kosovë, z. Slobodan Petroviç, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Gëzim Kasapolli, Zëvendës-ministër i Integrimit Evropian, dhe Mahir Yağcilar, Ministër i Administratës Publike.
Pjesëmarrësit e këtij takimi vlerësuan lartë kontributin e këtij projekti, bashkëpunimin e ngushte ndërinstitucional dhe mirëpritën vendimin për vazhdimin e tij dhe veçanërisht fokusimin e kësaj mbështetje në fushën e integrimin evropian dhe reformës së administratës publike.