Skip to content
Vazhdon puna për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore 2027–2031

Vazhdon puna për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore 2027–2031

Prishtinë, 10/09/2026

Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë po mbahet takimi i radhës në kuadër të procesit të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore 2027–2031, me fokus në Objektivin Strategjik I – Politikat e Integruara.

Gjatë takimit, anëtarët e Grupit Punues, së bashku me përfaqësues të institucioneve të tjera të ftuar në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, po kontribuojnë në hartimin dhe konkretizimin e këtij objektivi strategjik.

Në takim janë përfshirë edhe përfaqësues nga Zyra për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit, Agjencia për Informim dhe Privatësi dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, me qëllim të sigurimit të ekspertizës dhe perspektivave institucionale relevante për fushat që mbulon ky objektiv.

Objektivi Strategjik I synon forcimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduara, koordinimit dhe llogaridhënies institucionale në parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave, dhe dhunës me bazë gjinore.

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e forcimit të mekanizmave institucional të koordinimit në nivel qendror dhe lokal, përcaktimit të qartë të përgjegjësive institucionale, sigurimit të burimeve të nevojshme financiare dhe njerëzore, si dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile.

Vëmendje e veçantë po i kushtohet gjithashtu forcimit të sistemeve për mbledhjen, menaxhimin dhe raportimin e të dhënave, harmonizimit të të dhënave dhe treguesve, si dhe zhvillimit të mekanizmave për monitorimin, vlerësimin dhe matjen e rezultateve dhe ndikimit të politikave.

Puna e Grupit Punues do të vijojë me qëllim të hartimit të një Strategjie gjithëpërfshirëse, të matshme dhe të zbatueshme, e cila do të adresojë në mënyrë të koordinuar parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Skip to content