
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi priti sot Drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme të Austrisë, Jan Kickert me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet ndërshtetërore Kosovë-Austri, për zhvillimet e fundit në vend, për rëndësinë e zgjedhjeve të 3 nëntorit, si dhe për dialogun në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Baronesha Ashton.
Të dyja palët vlerësuan lartë marrëdhëniet e mira në mes të dy shteteve dhe u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm në shumë fusha, me theks të veçantë në atë të drejtësisë. Lidhur me dialogun ndërshtetëror Kosovë-Serbi, palët biseduan për implementimin e marrëveshjes së arritur duke vlerësuar si shumë të rëndësishëm nevojën e zbatimit të saj në terren. Kickert shprehi dhe një herë mbështetjen e plotë të shtetit të tij për dialogun në mes të shtetit të Kosovës dhe të Serbisë, si dhe përgëzoj institucionet e Kosovës për angazhimin e tyre drejt përmbushjes së marrëveshjeve të dala nga ky dialog. Zgjedhjet e 3 nëntorit u vlerësuan të jenë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe për synimet e vendit që të vazhdojë tutje dhe me hapa të sigurtë drejt fazave të ardhshme të Integrimit Evropian. Në fund të takimit, Ministri Kuçi falënderoj Ambasadorin Kickert për mbështetjen e dhënë dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen.