
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka mbajtur një takim me Cihan Sultanoglu, Ndihmëse Sekretare e Përgjithshme e OKB-së, Ndihmëse Administratore e UNDP-së dhe Drejtoreshë e Zyrës Rajonale për Evropë. Ministri Kuçi ka falënderuar Znj. Sultanoglu, për punën që UNDP, ka bërë dhe po bënë në Kosovë, si dhe për bashkëpunimin e mirë në realizimin e shumë projekteve me interes për forcimin e drejtësisë në Kosovë.
Në këtë takim është diskutuar për reformën në Drejtësi dhe për kontributin e UNDP-së në këtë proces, veçanërisht për mbështetjen e UNDP-së dhënë Ministrisë së Drejtësisë në funksionalizimin dhe promovimin e profesioneve të lira, për mbështetjen e Grupit për Ballafaqim me të Kaluarën, si një projekt me rendësi të madhe për popullin e Kosovës dhe për projektin e CDF-së, i cili ka kontribuar dukshëm në ngritjen e kapaciteteve për stafin e institucioneve të Kosovës. Sultanoglu foli për vazhdimin e mbështetjes dhe bashkëpunimit të UNDP-së me të gjitha institucionet e Kosovës.
Ministri Kuçi potencoi që një ndër aspektet më të rëndësishme për Kosovën është ngritja e kapaciteteve konkurruese të stafit të institucioneve, duke e vlerësuar këtë si pikë shumë të rëndësishme, ku ndiha e jashtme është e mirëseardhur. Në takim, të dy bashkëbiseduesit me interes të veçantë diskutuan për nevojën e hartimit të një Strategjie për sektorin e drejtësisë, ku ndër tjera do të bëhej fillimisht një vlerësim i situatës së tanishme dhe planifikim i aktiviteteve, qëllimeve afatmesme dhe afatgjate, ku kjo strategji do të ndihmonte në konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe rritjes së efikasitetit dhe bashkëpunimit në mes të organeve të rendit dhe ligjit.