
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në prezantimin e Strategjisë për Kosovën 2013-2016, e organizuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO).
Në këtë strategji është paraqitur ndihma e Qeverisë zvicerane dhënë për Kosovën nga viti 1998, ndërsa është prezantuar edhe strategjia e investimeve të parapara të bëhen në mes të vitit 2013-2016, që do të kap shifrën rreth 88 milion franga zvicerane.
Me këtë rast, Ministri Kuçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka falënderuar popullin dhe Qeverinë e Zvicrës për mbështetjen që kanë dhënë për popullin dhe Qeverinë e Kosovës.
“Prezantimi i Strategjisë për Kosovën 2013-2016, është një ngjarje shumë e mirë dhe unë kam dy arsye pse jam sot këtu, fillimisht do të doja të shpreh përkushtimin tonë si Qeveri për këtë projekt dhe e dyta, ne i kemi bashkuar prioritetet tona si Qeveri bashkë me mbështetjen që marrim nga Zvicra.
Në shumë raste i kemi krijuar prioritetet tona bashkërisht dhe ky rast është shumë i mirë për të përmirësuar jetën e kosovarëve”, ka thënë Kuçi.
Ministri Kuçi ka vlerësuar këtë strategji edhe për faktin që në të janë përfshirë edhe komunitetet tjera jo shumicë në Kosovë, po ashtu, Ministri Kuçi tha: “do të doja të ju falënderoj për mikpritjen që ju i ofroni diasporës tonë dhe që i ofroni mundësinë që ata të jenë pjesë e shoqërisë së Zvicrës”.