Skip to content
Vlerësohet progresi i AAPSK-së

Vlerësohet progresi i AAPSK-së

Prishtinë, 21/03/2013

Zëvendësministri i Drejtësisë, Abdyl Ymeri dhe Kryeshefi i Agjencionit për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar (AAPSK), Rrahim Rama, sot kanë pritur në takim Drejtoreshën e Zyrës për Asistence Teknike të Thesarit Amerikan, Carol Kelley dhe Gary Hyde, Këshilltar i larte për Krime Ekonomike. 

Qëllimi i kësaj vizite ishte vlerësimi i projektit dhe asistencës të ofruar nga Zyra për Asistencë Teknike e Thesarit Amerikan për mbështetjen e Agjencionit për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar. 

Zëvendësministri Ymeri tha se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave është shumë i rëndësishëm në ngritjen e agjencionit dhe shpreson që me ndihmën e miqve, ky agjencion do të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Kryeshefi i Agjencionit Rrahim Rama, prezantoi punën e këtij agjencioni, duke i njoftuar mysafiret me të arriturat brenda një viti pune. Me këtë rast, ai falënderoi për ndihmën e dhënë këtij agjencioni, Zyrën e Asistencës Teknike të Thesarit Amerikan. “Ne kemi shkëmbyer ide dhe përvoja të ndryshme, ide këto të cilat na kanë ndihmuar shumë në punën tonë. Një bashkëpunim shumë të mire e kemi edhe me Ambasadën Amerikane e cila na kanë ofruar ndihmë përmes ekspertëve të kësaj fushe, ndërkohë që kemi ndjekur edhe shumë trajnime në këtë drejtim. Gjithashtu vlerësim pozitivë për punën e Agjencionit kemi marrë edhe nga Komisioni Evropian”, tha Rama. 

Përfaqësuesit e Zyrës për Asistence Teknike të Thesarit Amerikan thanë se janë të kënaqur me progresin e arritur të Agjencionit për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar, ndërsa prezantuan përvojat e vendit të tyre sa i përket administrimit të pasurisë se konfiskuar. 

Sa i takon bashkëpunimit me institucionet tjera, Kryeshefi Rama tha se kanë një koordinim të mirë dhe bashkëpunim efektiv me të gjitha institucionet që ndërlidhen me punën e këtij agjencioni. Duke folur për këtë bashkëpunim, ai  njoftoi se agjencioni bënë administrimin e vetëm asaj pasurie e cila është në qarkullim juridik, përfshirë asetet të cilat janë brenda territorit të vendit. Ndërkohë, ai i njoftoi se Agjencioni për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar është në rolin e vëzhguesit në rrjetin ndërkombëtar Karin. 

Foto Galeria

Skip to content