
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe Zëvendësministri i Drejtësisë, Daut Xhemajli, i cili para të pranishmëve tha: “Është kënaqësi e imja e veçantë që sot jam këtu për të uruar Prokurorinë tonë për edhe një vit tjetër pune të palodhshme, të vështirë dhe shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë.
Është e ditur rëndësia e madhe që ka një Prokuror në vënien e drejtësisë sidomos në Kosovë, kundër atyre që kanë dëmtuar të tjerët dhe shoqërinë, janë prokurorët si mbrojtës të ligjit, që ne si qytetarë dhe shtet ua kemi besuar këtë detyrë kaq të rëndësishme por edhe humane, për të luftuar ata që me veprimet e tyre shqetësojnë qytetarët tanë dhe lirinë e tyre.
Prandaj edhe nga prokurorët kërkohet që të kërkojnë drejtësinë, e jo thjeshtë vetëm të kërkojnë dënimin apo ta fitojë rastin.
Edhe pse tani, Ministria e Drejtësisë ka kompetenca mjaft të kufizuara në drejtim të prokurorisë e gjyqësorit, është kënaqësi e jona që të mund t’ju dalim atyre në ndihmë me vendosjen e politikave më të mira për të funksiononuar sistemi i drejtësisë në vendin tonë.
Në vitin që shkoi, siç e dini, në ceremoninë si kjo sot, kemi përmendur shumë instrumente ligjore të cilat Ministria e Drejtësisë i ka përgatitur pikërisht për t’i luftuar dukuritë negative që kanë sulmuar shoqërinë tonë. Këtu kemi përmendur ligjet si: Ligji për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, Ligji për mbrojtjen e informatorëve dhe Ligji për përgjegjësin penale të personave juridik të cilat tani janë në dorën tuaj.
Megjithatë, ajo që ka kërkuar vëmendjen tonë maksimale dhe përkushtimin tonë të vazhdueshëm në periudhën e fundit të vitit që shkoi dhe gjithsesi gjatë këtyre muajve ka qenë miratimi i Kodit të Ri Penal, që është dërguar në Kuvend për miratim në fundin e vitit të kaluar.
Në përgatitjen e Kodit të Ri penal ne jemi përpjekur që të sjellim risi nga praktikat më të mira botërore e të cilat do t’ju mundësojnë prokurorëve por edhe gjyqtarëve tanë që të luftojnë kriminalitetin në mënyrën më të mirë dhe më efikase. Vëmendje e veçantë u është kushtuar problemeve që prokurorët dhe gjyqtarët tanë kanë hasur në të kaluarën gjatë punës së tyre për të vënë drejtësi kundër kryesve të veprave penale.
Sot, jemi shumë krenar që një Kod shumë modern dhe praktik, është gati për t’u miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës pasi që ka kaluar në Komisionet e tij me shumë pak vërejtje.
Një tjetër risi në të cilën Ministria e Drejtësisë së bashku me partnerët e saj po punojnë, duke përfshirë këtu edhe Këshillin Prokurorial, Këshillin Gjyqësor, Gjykatën Supreme, Ambasadën Amerikane dhe EULEX-in, është edhe Kodi i ri i Procedurës Penale. Natyrisht, ky Kod do të prekë shumë më tepër punën e prokurorëve tanë.
Gjatë përgatitjes së këtij Kodi jemi përpjekur që të krijojmë mekanizma dhe procedura të reja e sa më efikase në mënyrë që Prokurorëve tanë t’u jepen forca dhe mjetet e nevojshme që të luftojnë kriminalitetin në çdo fushë në mënyrë sa më të mirë, gjithmonë duke respektuar
edhe të drejtat e njeriut siç bëhet në vendet më demokratike në botë.
Përgatitja e Kodit të ri të Procedurës Penale, gjithashtu është në përfundim të tij dhe shpresojmë që shumë shpejtë do të jetë në duart e deputetëve të Kuvendit për ta miratuar atë.
Në drejtim të punës sonë për të përmirësuar gjithnjë efikasitetin e Prokurorisë dhe Gjyqësorit, Ministria e Drejtësisë këtë vit gjithashtu planifikon të amandametojë Ligjin për Gjykatat e Rregullta dhe një sërë ligjesh tjera, sipas kërkesës së dy Këshillave, për të përmirësuar menaxhimin e brendshëm të Prokurorive dhe Gjykatave.
Më lejoni që të veçoj njërin nga ndryshimet kryesore i cili pritet të bëhet me amandamentimin e Ligjit për Gjykata e që lidhet drejtpërdrejtë me procedurën efikase penale kundër rasteve të tilla të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Do të themelohen dhoma të veçanta brenda gjykatave themelore dhe asaj të Apelit në Prishtinë e cila do të jetë kompetente vetëm për veprat penale nën kompetencën e Prokurorisë Speciale.
Rrjedhimisht, Prokuroria Speciale do të pasqyrohet në një model të ngjashëm por të gjyqësorit. Kështu, do të mundësohet që rritja e kualiteti i gjykimit dhe vendimeve të marra nga gjyqtarët tanë, tani të profilizuar për gjykimin e këtyre veprave të rënda penale dhe rastet e tilla të rënda penale të trajtohen me prioritet nga secila gjykatë dhe kështu të gjykohen ato sa më shpejtë.
Kështu pra, sistemi jonë i drejtësisë do të ketë një fillim të freskët në janarin e vitit 2013 kur do të fillojë të zbatojë dy Kode të reja në lëmine penale, dhe ç’është më e rëndësishmja, me një strukture të re dhe shumë efikase të Gjykatave.
Të nderuar Prokurorë e gjyqtarë dhe ju të pranishëm të tjerë,
Më lejoni që të rikujtoj se Ministria e Drejtësisë do të jetë gjithnjë në shërbimin e sistemit të drejtësisë dhe kështu edhe të Këshillit Prokurorial dhe çdo mënyrë për të përmirësuar efikasitetin e tyre dhe në përgjithësi vënien e drejtësisë në vendin tonë, do të jetë synim parësorë i Ministrisë sonë.
Krejt në fund, duke ju dëshiruar suksese në punë, ne jemi të bindur që bashkëpunimi i mirë dhe korrekt midis institucioneve tona do të vazhdojë të sjellë progres në sundimin e ligjit ,por edhe risi në të ardhmen tonë”.
Ju faleminderit!