Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, në përmbylljen e vizitës së tij tri ditore në Bruksel, sot ka takuar komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politika Fqinjësore, Stefan Fuele, të cilin e ka njoftuar me angazhimet dhe përkushtimin e institucioneve qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës, për plotësimin e kushteve për liberalizim të vizave dhe integrim në BE, si dhe për nevojën e Kosovës për marrëdhënie kontraktuale me BE-në.
Në këtë takim u bisedua edhe për dialogun Kosovë – Serbi, ku zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë së ky dialog nuk duhet të dëmtojë statusin e Kosovës, por duhet të ndihmojë konsolidimin e raporteve në rajon dhe procesin e integrimeve evropiane.
Po ashtu u bisedua për nevojën e integrimit të plotë të veriut në institucionet e Kosovës dhe për Raportin e Progresit, ku zëvendëskryeministri Kuçi ka deklaruar së Raporti i Progresit paraqet një vlerësim të punës institucionale nga BE-ja, por edhe nga qytetarët e Kosovës, ndërsa që të dy u pajtuan që pas prezantimit të Raportit të Progresit të ketë një takim të përbashkët që të vlerësohet ky raport, si për të arriturat, ashtu edhe për përballimin e sfidave.
Ndërsa komisionari Fuele ka thënë së në fillim të shtatorit në Kosovë do të vije një komision për të shikuar progresin e arritur në përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave dhe shtoi që vërehet një angazhim i Kosovës në çështje të integrimeve evropiane dhe gatishmëri për kontakte me të ngjeshura për këtë proces.
Po sot, zëvendëskryeministri Kuçi takoi Jonas Jonsson, udhëheqës i Njësisë për Ballkanin Perëndimor të Këshillit të BE-së dhe Ana Maria Boura, zyrtare e lartë në Njësinë për Ballkanin Perëndimor në Këshillin e BE-së, me të cilët bisedoi për progresin e arritur në ndërtimin e rendit dhe ligjit në Kosovës, si dhe për bashkëpunimin me EULEX-in.