Më këtë rastë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, tha se ai ka ardhur këtu për të shikuar gjendjen e kësaj Qëndre Korrektuese, dhe për të shikuar mundësitë e përmirësimit të gjendjes ekzistuese në këtë Qendër Korrektuese. “Pata një vizitë zyrtare në Burgun e Dubravës, për të shikuar se si qëndrojnë kushtet këtu, si bëhet trajtimi adekuat i njerëzve të cilët vuajnë dënimet këtu dhe si do të kemi mundësi ta përmirësojmë gjendjen në burgjet e Kosovës, e në veçanti në Burgun e Dubravës, njëherësh do t’i shikojmë mundësitë reale në mënyrë që t’i shtojmë sjelljet dhe disiplinën brendapërbrenda burgut, duke pasur parasysh t’i ruajmë dhe respektojmë të drejtat e të burgosurve në këto burgje.
Unë, pata kontakte të drejtëpërdrejta me stafin, por edhe me të burgosurit dhe ajo çka munda të vërej këtu, duket që është një organizim i mirë, njerëzit kanë një trajtim adekuat, por ka nevojë për ngritje dhe rritje të cilësisë, ashtu, si çdokund tjetër. Qëllimi im do të jetë gjithmonë që sundimi i ligjit të të aplikohet me përpikëri, kjo nënkupton që të burgosurit duhet t’i kryejnë obligimet ligjore, por edhe t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre ligjore. Ne do t’i ngrehim kapacitetet, ku në veçanti do të fokusohem për burgun e Dubravës, me ç’rast do t’i kemi disa aktivitete, njëri prej aktivitetëve është realizimi i fazës së dytë për shtimin e kamerave dhe ky projekt do të bëhet me bartjen e mjeteve, nga mjetet e parapara për blerje të automjeteve, ngase në Ministrinë e Drejtësisë këtë vit nuk do të ketë shpenzime në blerjen e automjeteve.
Projekti tjetër është bërja e Njësisë ekonomike, që nënkupton shfrytëzimin e aktiviteteve agronome në radhë të parë, pastaj funksionalizimin e njësive punuese dhe ajo që më intereson mua është që nga kjo, jo vetëm të rritet buxheti i Shërbimit Korrektues të Kosovës, por, njëkohësisht t’u japim mundësi të burgosurve të punojnë. Qëllimi edhe i shtetit të Kosovës, edhe imi është që këta njërëz t’i kryejnë obligimet ligjore, të risocializohen dhe të kthehen si pjesë e barabartë e shoqërisë sonë”, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi.
Ndërsa, drejtori i Qendrës Korretuese në Dubravë, Haki Maxharraj, tha: “Besoj që të gjitha proceset në misionin tonë do të ecin përpara, që është zhvillimi i mëtejshëm i proceseve risocializuese për të burgosurit, si dhe projektet tjera kapitale.
Mendoj, që me realizimin e këtyre projekteve të parapara nga Ministri, e që besoj do të realizohen, ne do t’i zvogëlojmë shpenzimet në Shërbimin Korrektues të Kosovës në një masë të madhe.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, tha se stafi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, do të jetë pjesë e ngritjeve të pagave që janë të parapara me vendimin e Kryeministrit, dhe se përkushtimi i im është që të kenë trajtim të barabartë, si me paga, ashtu edhe me benificione tjera, porsi Policia e Kosovës.