
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka pritur në takim Ambasadoren e Francës në Kosovë, Maryse Daviet, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.
Në këtë takim, Zëvendëskryeministri Kuçi ka njoftuar Ambasadoren me procesin e bisedimeve të zhvilluar në Bruksel në mes të delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë lidhur me përafrimin e planit për zbatimin e marrëveshjes së arritur në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se pala kosovare është pajtuar në parim me planin primar të zbatimit të marrëveshjes, ndërsa ka kërkuar që këtë gjë ta bëjë edhe pala serbe, në mënyrë që sa më parë të fillojë implementimi i marrëveshjes së arritur. Megjithatë, shtoi Zëvendëskryeministri Kuçi, plani përfundimtar do të dakordohet midis dy Kryeministrave, në afat sa më të shpejtë kohor.