
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka mbajtur një konferencë për media në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
Gjatë kësaj konference, Zëvendëskryeministri Kuçi foli për situatën aktuale, proceset politike dhe ekonomike të Kosovës. “Qeveria e Kosovës bashkë me institucionet ndërkombëtarët po bën gjithçka që në vendin tone të funksionojë shteti juridik, duke krijuar siguri dhe lëvizje të lirë për gjithë qytetarët tanë. Kosova pas 12-të vjetëve të çlirimit dhe 3 vjetëve të pavarësie, është shndërruar në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”, tha Kuçi.
Sa i përket zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, Zëvendëskryeministri Kuçi bëri apel të Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-Moon, për krijimin e kushteve për heqjen e barrikadave dhe strukturave paralele në veri të Kosovës, si dhe për fillimin e dialogut teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë në Bruksel. “Nuk pranojmë kurrfarë ndarjesh apo këmbim territoresh të Kosovës. Kosova ka sot kufijtë e vet shtetëror dhe ky integritet territorial duhet respektuar edhe nga pala serbe, të cilët nuk duhet të bijën pre e provokimeve të regjimit të Beogradit, sepse perspektiva e tyre është kah Kosova dhe ata i posedojnë të gjitha mundësitë dhe kushtet për integrim në shoqërinë tonë”, tha Zëvendëskryeministri Kuçi.
Ndërsa, duke ju përgjigjur interesimit të mediave të pranishme në këtë konferencë, Zëvendëskryeministri Kuçi tha se aktualisht Kosova njihet nga 86 vende botërore dhe shtoi se gjatë këtij viti, gati për çdo muaj kemi pasur nga një apo dy njohje nga vendet botërore që kishin kuptuar realitetin në Kosovë, të cilat vende kishin hezituar ta na njohin deri me tani. Sipas tij, paralel me lobimin për njohje, Kosova sot është duke lobuar edhe për anëtarësimin e shpejtë në OKB.