Skip to content
Zëvendëskryeministri Kuçi u takua me homologun e tij nga Maqedonia, Musa Xhaferi

Zëvendëskryeministri Kuçi u takua me homologun e tij nga Maqedonia, Musa Xhaferi

Prishtinë, 09/09/2011

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, priti në takim zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferi, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë.

Pas takimit, zëvendëskryeministri Kuçi tha së Qeveria e Kosovës konsideron që me Republikën e Maqedonisë nuk ka asnjë çështje të hapur, andaj këtë gjë e vlerësoi si mundësi për bashkëpunim të plotë në mes të këtyre dy vendeve.

“Isha jashtëzakonisht i nderuar që pata mundësin ta kemi në vizitë zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferi, me të cilin shkëmbyem mendimet tona, përvojat, natyrisht edhe gatishmërinë për një bashkëpunim të plotë në mes të dy shteteve tona. Me lejoni të them së Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se me Republikën e Maqedonisë nuk ka asnjë çështje të hapur, përkundrazi ka mundësi për bashkëpunim të plotë në aspektin politik, ekonomik, kulturor dhe në të gjitha fushat tjera. Më zëvendëskryeministrin Xhaferi u pajtuam që këto vullnete politike që ekzistojnë në mes të dy qeverive, këto gatishmëri që ekzistojnë në mes të dy popujve tanë, edhe popullit maqedon edhe popullit shqiptar që jeton në Maqedoni, t’i materializojmë në kuptimin e bashkëpunimit praktik”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.

Edhe zëvendëskryeministri Xhaferi tha se në mes të Kosovës dhe Maqedonisë nuk ka asnjë çështje të hapur. 

“Pajtohem me zotin Kuçi që në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë nuk ka asnjë çështje të hapur, andaj të gjitha marrëveshjet, memorandumet e arritura në mes të dy shteteve, duhet fillojmë praktikisht t’i zbatojmë, siç janë marrëveshjet e arritura në sferën të cilën e mbulon zoti Kuçi, drejtësinë, e cila është një sferë e rëndësishme për Republikën e Kosovës, por edhe për ne. Ne patëm rastin t’i cekim shumë sfera që janë në agjendën e dy qeverive, sa i përket infrastrukturës, integrimeve evropiane, ku ne jemi të gatshëm që përvojën tonë të mirë ta ofrojmë dhe kjo do të ishte përparësia e Republikës së Kosovës që ta marrin përvojën pozitive që ne e kemi krijuar deri me tani”, tha zëvendëskryeministri Xhaferi.

Të dy Zëvendëskryeministrat u pajtuan që thellimi i bashkëpunimit dhe fillimi i zbatimit në praktik të këtij bashkëpunimi, do të jetë i dobishëm për qytetarët e të dy shteteve.

Foto Galeria

Skip to content