Skip to content
Zëvendëskryeministri Kuçi u takua me Kryetarin e LPD-së, Musliu

Zëvendëskryeministri Kuçi u takua me Kryetarin e LPD-së, Musliu

Prishtinë, 13/04/2012

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka pritur në takim një delegacion të Lëvizjes së Progresit Demokratik të Luginës së Preshevës, të kryesuar nga Kryetari Jonuz Musliu. 

Pas takimit, Zëvendëskryeministri Kuçi tha se me Kryetarin Musliu ka biseduar për çështjet që janë me rendësi politike për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Biseduam për gjendjen politike dhe të sigurisë atje, natyrisht edhe për angazhimet që i bëjnë këta si parti edhe si individ, por do të thoja edhe shqiptarët në tërësi, për të forcuar identitetin e tyre kombëtar, për të drejtat e tyre, por biseduam edhe për çështje konkrete sikur që mund të jetë ajo, që duhet të bëhet një trajtim adekuat për ish-luftëtarët e ish-UÇPMB-së dhe mendoj se në këtë drejtim Kosova do ta jep kontributin e vet përmes kanaleve të veta ndërkombëtare”, tha Kuçi .

Zëvendëskryeministri Kuçi ripërsërit angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zvogëlimin e shumave të taksave kufitare për shqiptaret e Luginës së Preshevës dhe për mundësinë e shpërndarjes falas të librave shkollore për aq sa përputhen programet arsimore të ciklit fillor, për nxënësve shqiptarë të Luginës, si dhe për përshpejtim të procedurave për marrjen e diplomave nga studentët e kësaj anë.

Në anën tjetër, Kryetari Musliu pasi theksoi se ka njoftuar Zëvendëskryeministrin Kuçi për gjendjen e përgjithshme në Luginë të Preshevës, tha se pushteti në Serbi me politikat e veta po tenton të bëjë pastrin etnik në këtë pjesë, por siç tha ai, këtë gjë nuk do arrin ta bëjnë. Po ashtu, ai tha se muajt e fundit në Luginë të Preshevës ka shtim të forcave të armatosura të uniformuara dhe të pauniformuara dhe bëri thirrje për demilitarizimin e këtij regjioni.

Zëvendëskryeministri Kuçi po ashtu, tha se nëse gjinden metoda, Qeveria e Kosovës është e gatshme të financoi ndërtimin e një shkolle në Luginë të Preshevës dhe të ndonjë rruge që i lidh shqiptaret e kësaj ane me kufirin e Kosovës, si dhe premtoi që në dialogun e ardhshëm teknik me Serbinë, do të ngritët edhe çështja e dokumentacionit tjetër, përveç diplomave universitare, që lëshohen në Kosovë dhe tani për tani nuk njihen nga Serbia. 

Foto Galeria

Skip to content