
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, dje ka pritur në takim një delegacion të Federatës së Paqes Universale (FPU), të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm për Europë, Mark Brann, i cili ishte i shoqëruar nga Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni dhe koordinatorët e FPU-së të Shqipërisë dhe Kosovës.
Zëvendëskryeministri Kuçi falënderoi z. Brann për organizimin dhe përkujdesjen për delegacionin e Kosovës në Samitin Botëror 2013, që u mbajt në Shkurt të këtij viti në Seul të Koresë së Jugut, duke e vlerësuar këtë ngjarje si shumë të rëndësishme për Kosovën, sa i përket lobimit për njohje të reja dhe mundësisë se zhvillimit të marrëdhënieve dy paleshe ekonomike me Korenë e Jugut dhe vendet të tjera aziatike.
Nga ana e tij, z. Brann theksoi se përpjekje të tilla duhet të jenë të vazhdueshme për të ndryshuar imazhin e Kosovës në botë, veçanërisht duke gjetur dhe provuar mënyra të reja të përmirësimit të imazhit.
Zëvendëskryeministri Kuçi e siguroi z. Brann për vazhdimin e mbështetjes të Qeverisë së Kosovës ndaj parimeve të FPU-së dhe aktiviteteve të saj kombëtare e ndërkombëtare dhe u shpreh i gatshëm për të marrë pjesë në çdo aktivitet ndërkombëtar me interes për popullin dhe shtetin e Kosovës.
Në fund të takimit të dyja palët u shprehën mjaft optimistë për të ardhmen e Kosovës dhe modelin që ky vend ofron për bashkëjetesën ndërfetare dhe ndëretnike.