
Zëvendësministrat e Drejtësisë, Daut Xhemajli dhe Abdyl Ymeri, si dhe Drejtoresha e Shërbimit Sprovues (SHSK), Metije Ademi, organizuan një takim të karakterit informativ dhe sensibilizues me drejtorët regjional të këtij shërbimi.
Në takim, zëvendësministrat dhe Drejtoresha e SHSK-së, kanë informuar drejtorët e qendrave regjionale për vizitën e zhvilluar në Shqipëri dhe për përvojat që kanë marrë lidhur me monitorimin elektronik të dënimeve alternative.
Në këtë takim u tha se inkurajimi për shqiptimin e dënimeve alternative si masë për zëvendësimin e dënimeve me burgim, konsiderohet sukses për ri-integrimin dhe ri-edukimin e personave në shoqëri, si një shans më tepër për personin delikuent që përmes SHSK-së të ri-socializohet dhe të kthehet si pjesëtarë i barabartë në shoqëri, pa shkuar në burg.
Po ashtu, u tha se monitorimi elektronik i dënimeve alternative është metodë më efikase në mbikëqyrjen e ri-socializimit të personave të dënuara me dënime të tilla.
Drejtorët e qendrave regjionale paraqiten aktivitetet dhe sfidat gjatë punës së tyre nëpër këto drejtori.
Siç dihet SHSK-ja ka pesë qendrat regjionale, në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren dhe Gjilan. Së shpejti pritet të hapen qendra në Ferizaj si dhe në Gjakovë.