
Në promovim morën pjesë studiues, hulumtues dhe një auditorium i gjerë me ç’ rast, Zëvendësministri Basha, përgëzoi autorët e publikimeve dhe Institutin për punën serioze dhe ndriçimin e krimeve serbe në Kosovë.
“Punën dhe rezultatet e këtij Instituti, po i shënojmë sot me promovimin e këtyre tri librave jashtëzakonisht të rëndësishme. Populli i Kosovës pas përpjekjeve për më tepër se një shekulli për çlirimin, e veçmas me luftën heroike të UÇK-s, të ndihmuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar, arriti të çlirohet nga okupimi i Serbisë. Mirëpo, në këtë luftë u flijuan shumë burra, gra dhe fëmijë për lirinë e Kosovës që ne po e gëzojmë”, theksoi Zëvendësministri Basha dhe kërkoi që këto krime të ndriçohen, si dhe kryesit e tyre të ndëshkohen.
Zëvendësministri Basha vuri në dukje se Qeveria e Kosovës, e ndërgjegjshme për këto viktima dhe sakrifica për çlirimin e Kosovës dhe me qëllim që viktimat gjithmonë të përkujtohen dhe të gëzojnë pietetin e merituar, me vendim të posaçëm e themeloi Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës me 15 qershor 2011.
Duke folur për veprimtarinë e Institutit, Zëvendësministri Basha, potencoi misionin shumë të rëndësishëm human dhe shtetëror të këtij Instituti. Qëndrimi i Qeverisë dhe i Ministrisë së Drejtësisë është që këtij Instituti t’i krijohet një bazë e qëndrueshme ligjore dhe të fuqizohet me kuadër, hapësirë adekuate për punë dhe kushte të tjera të nevojshme për punë më efikase.
Në këtë aktivitet të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë u promovuan botimet e Prof. Fejaz Drançolli, Trashëgimia e shkatërruar në Kosovë 1998/99, Mr. Fetnete Ramosaj, Kundër harresës – Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999, Mr. Baki Svirca, Plaçkitja dhe Shkatërrimi i Fondit Arkivor të Kosovës nga Serbia, para dhe gjatë luftës 1998-1999.