
Gjatë kësaj tryeze në të cilën morën pjesë Zëvendësministrat e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, z. Blerim Sallahu, përkatësisht z. Klajdi Karameta, janë zhvilluar diskutime rreth ndryshimeve të propozuara nga ekspert ndërkombëtar, finalizimi i ndryshimit të marrëveshjes për bashkëpunim juridik ndërkombëtar dhe procedimi i mëtutjeshëm.
Zëvendësministri Sallahu gjatë këtij takimi ka vlerësuar tri marrëveshjet ekzistuese lidhur me Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale, Marrëveshja për Ekstradimin dhe Marrëveshja për Transferimin e Personave të Dënuar të cilat, sipas tij, kanë qenë në funksion të forcimit të marrëdhënieve ndër shtetërore, rritjes së bashkëpunimit si dhe kanë ndihmuar në avancim e mëtejshëm ndërkombëtar në fushën e të drejtës penale, me theks të posaçëm rritjen e pjesëmarrjes aktive në procesin e bashkëpunimit tonë me shtetet evropiane. Por, sipas zëvendësministrit Sallahu, në këto marrëveshje nuk parashihen disa metoda moderne të bashkëpunimit, impakti i të cilave është i jashtëzakonshëm, e të cilat po i ndryshojmë
Përditësimi i këtyre marrëveshjeve dhe përforcimi i tyre me elementet shtesë, do të rezultojë me konkretizim dhe intensifikim të luftës ndaj krimit të organizuar dhe grupeve kriminale që janë në operim.
“Me unifikimin procedural në aspektin e fushës juridike, po e rrisim sovranitetin shtetëror duke kontribuar për parandalimin e krimit të organizuar dhe krimit ekonomik, duke ua lehtësuar punën institucioneve tona hetuese dhe duke u dhënë atyre mundësi të jenë shumë më efikase” tha Sallahu.
Amandamentimi i marrëveshjeve ekzistuese, parasheh rregullimin e kapitujve të veçantë me dispozita për: sekuestrim dhe konfiskim; identifikim të aseteve të natyrave të ndryshme; krijim të grupeve të përbashkëta hetimore; bashkëpunim të drejtpërdrejtë mes prokurorive dhe gjykatave për njohjen dhe zbatimin e vendimeve penale etj.
Ngjarja është mbështetur nga Projekti “IPA2019” GIZ.