
Sot Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë z. Lirak Çelaj, ka marr pjesë në hapjen zyrtare të Projektit të ri të Binjakëzimit të BE-së, “Fuqizimi i formulimit të politikave dhe hartimit të legjislacionit” i cili menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe zbatohet nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, qëllimi i të cilit është forcimi i kapaciteteve për formulimin e politikave dhe hartimin e legjislacionit, si dhe zbatimin efikas të tij brenda Ministrisë së Drejtësisë dhe në institucione të tjera përkatëse.
Në hyrje të fjalimit të tij, Zëvendësministri Çelaj ka folur për rëndësinë e këtij projekti i cili sipas tij, ndikon drejtë për së drejti në sundimin e ligjit, komponentë kjo qenësore në procesin aktual euro-integrues të Republikës së Kosovës. Zëvendësministri Çelaj tha se Ministria e Drejtësisë, mbështet fuqishëm çdo projekt nga BE në fuqizimin e formulimeve ligjore si pike kyçe për legjislacion të qëndrueshëm dhe në përputhshmëri me standardet më të larta dhe praktikat më të mira nga Bashkimi Evropian.
“Misioni i Ministrisë së Drejtësisë lidhet ngushtë me vazhdimin e ngritjes së besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë, fuqizimin e zbatimit dhe sundimin e ligjit”, tha Çelaj, duke shtuar se kjo do të arrihet falë përkushtimit të gjithanshëm të stafit vendor dhe asistencës ndërkombëtare, përkatësisht Bashkimit Evropian.
Zëvendësministri Çelaj tha se forcimi i shtetit ligjor është kriteri i rëndësishëm dhe shprehu përkushtimin e realizimit të reformave për sundimin e ligjit, konsolidimin e qeverisjes së mirë por edhe reformat ekonomike, në funksion të këtij kriteri.
“Drejtësia përbënë, po ashtu, vlerën themelore të sigurisë dhe besimit të investitorëve, të cilët duan garancë për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës. Të jetosh e punosh në Kosovë ke mbrojtje e siguri ligjore, po aq sa në vendet të cilave aspiron t’u bashkohet Kosova. Nuk do t’i tolerojmë ngecjet në këtë drejtim” tha Zëvendësministri Çelaj.
Në fund të fjalës së tij Zëvendësministri Çelaj ka falënderuar stafin vendor për angazhimin e tyre në zbatimin e rekomandimeve në dobi të sundimit të ligjit në Kosovë si dhe realizuesit e këtij projekti, bashkëpunim ky i cili synon agjendën e përbashkët euro-integruese.