
Me rastin e shënimit të ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, sot ka marrë pjesë në lansimin e projektit të Ambasadës së Britanisë së Madhe në mbështetje të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe akterëve tjerë të involvuar në procesin e zgjidhjes së çështjes së personave të pagjetur.
Zëvendësministri Dushi tha se në Kosovë edhe pas tetëmbëdhjetë viteve liri, qytetarët tonë vazhdojnë të kenë dhimbje për familjarët e tyre të pagjetur dhe ky fakt mbetet një shqetësim i madh edhe për institucionet e vendit. “Nëse vërtetë duam që kjo temë të mbyllet njëherë e përgjithmonë, është i domosdoshëm angazhimi ynë i përbashkët si dhe presioni më i madh i faktorit ndërkombëtar tek përgjegjësit, për zbardhjen e fatit të secilit person të rrëmbyer e të vrarë gjatë luftës, si parakusht esencial për arritjen e pajtimit në mes të popujve dhe shteteve në këto hapësira”
Zëvendësministri Dushi tha se vet prezenca e Kryeministrit Mustafa dëshmon përkushtimin dhe angazhimin e Qeverisë së Kosovës në përmbushjen e obligimeve të cilat do të shpejtonin procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur. Ai gjithashtu ka falënderuar edhe Ambasadorin O’Connell për mbështetjen që ka ofruar Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë përmes këtij projekti, i cili është tejet me rëndësi për të gjithë qytetarët e vendit, në veçanti për familjarët e personave të pagjetur.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Zëvendësministri Dushi ka shprehur mirënjohje dhe respekt për familjarët e personave të pagjetur, për qëndresën dhe durimin e tyre si dhe për angazhimin e tyre personal por edhe në kuadër të institucioneve në zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre.