Skip to content
Zëvendësministri Sallahu, mori pjesë në takimin pritës të Punëtorisë Ndërkombëtare për Luftën Kundër Krimit të Organizuar dhe Trafikut të Narkotikëve

Zëvendësministri Sallahu, mori pjesë në takimin pritës të Punëtorisë Ndërkombëtare për Luftën Kundër Krimit të Organizuar dhe Trafikut të Narkotikëve

Prishtinë, 10/07/2025
Në fjalën e tij, zëvendësministri Sallahu theksoi se trafiku i narkotikëve nuk është vetëm çështje kriminale, por një kërcënim serioz për shëndetin publik, sigurinë kombëtare dhe shtetin ligjor. Ai potencoi se ky fenomen cenon familjet, ekonominë dhe integritetin e institucioneve, prandaj kërkon një qasje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar.
“Si Ministri e Drejtësisë, kemi ndërmarrë hapa konkretë në përmirësimin e kornizës ligjore për ndjekjen, dënimin dhe konfiskimin e pasurive të fituara nga krimi, por ligjet nuk mjaftojnë pa zbatim. Prandaj, prioritet mbetet forcimi i kapaciteteve të policisë, prokurorisë dhe gjykatave tona,” tha zëvendësministri Sallahu.
Ai falënderoi partnerët nga Turqia dhe Shqipëria për mbështetjen dhe ekspertizën, duke vlerësuar lart rëndësinë e këmbimit të përvojave dhe harmonizimit të legjislacionit në luftën kundër rrjeteve transnacionale të trafikut të drogës.
“Krimi nuk njeh kufij, as lufta jonë kundër tij nuk duhet të njohë pengesa,” përfundoi Sallahu, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për ndërtimin e një shoqërie më të sigurt dhe të drejtë.
Punëtoria do të vazhdojë gjatë ditëve në vijim, duke trajtuar praktikat më të mira ndërkombëtare në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e veprave penale që lidhen me krimet e drogës dhe duke forcuar bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtar në këtë fushë.

Foto Galeria

Skip to content