Budapest, 11-12 nëntor 2024 – Zëvendësministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovës, z. Vigan Qorrolli, së bashku me z. Lulzim Beqiri, Drejtor i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinimin e Politikave, po marrin pjesë në konferencën ndërkombëtare me temën “Konkurrenca Ligjore – Instrumentet e Ligjit për një Evropë më të Konkurrueshme,” e organizuar nga Presidenca Hungareze e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Konferenca, e cila është duke u zhvilluar në Budapest, mbledh ministrat e drejtësisë dhe ekspertet nga shtetet anëtare të BE-së dhe të vendeve që kanë perspektivë anëtarësimi, përfshirë Republikën e Kosovës. Kjo ngjarje përqendrohet në përmirësimin e konkurrencës ekonomike të Evropës përmes një kornize ligjore të qëndrueshme dhe inovative, duke shqyrtuar lidhjen midis sistemeve ligjore, rregullimit dhe rolit të teknologjive të reja si LegalTech në formësimin e të ardhmes së ligjit evropian.
Një nga prioritetet kyçe të presidencës hungareze është përmirësimi i konkurrencës së Bashkimit Evropian, për çka kjo konferencë shërben si një platformë për diskutimin e çështjeve thelbësore që lidhen me përmirësimin e krijimit të ligjeve dhe mundësinë e harminizimit të tyre përballë zhvillimeve të shpejta në teknologjinë ligjore.
Zëvendësministri Qorrolli theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë forum të rëndësishëm, duke deklaruar se “Kosova është e angazhuar për t’u rreshtuar me standardet evropiane të inovacionit ligjor dhe konkurrencës. Prania jonë këtu thekson angazhimin e Republikës së Kosovës për forcimin e kornizës ligjore dhe kontributin për një Evropë më të integruar dhe më konkurruese.”
Diskutimet gjatë kësaj konference synojnë të forcojnë bashkëpunimin më të ngushtë ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe atyre me perspektivë anëtarësimi, duke adresuar nevojën thelbësore për reforma ligjore që do të përmirësojnë konkurrencën, njëkohësisht siguruar stabilitet dhe parashikueshmëri në sistemin ligjor.
Në margjina të konferencës, zëvendësministri Qorrolli, ka takuar homologë të ndryshëm nga shtete të Bashkimit Evropian, si dhe shtete të tjera pjesëmarrëse si Gjeorgjia, Bosnja dhe Hercegovina, Turqia dhe nikoqiri Hungaria.