
Sallahu në fjalën e tij ka theksuar rolin që ka administrata publike në mirë funksionimin e institucioneve shtetërore. Ai ka përmendur edhe faktin se si është keqpërdorur sektori i administratës për interesa të ngushta duke u shfrytëzuar për shtrirje më të gjerë të klientelës dhe përhapje më të madhe të nepotizmit.
“Me vendosmërinë që e kemi, vullnetin e mirë që na karakterizon, shtuar profesionalizmin e seriozitetin që zotërojmë, do ta transformojmë e përmirësojmë situatën e administratës. Sepse e tillë është nevoja shoqërore e shtetërore, të cilës ne i përgjigjemi me vetëdije të lartë e përgjegjësi maksimale” ka theksuar Sallahu.
Marr parasysh rolin që ka administrata, shtoi zëvendësministri Sallahu, është shumë më rëndësi që të votohet Ligjit për Zyrtarët Publik, i tillë që i adreson nevojat institucionale, zbatimi i të cilit shënon përmbushjen e një rekomandimi shumë të vlefshëm të Raportit të Progresit nga Komisionit Evropian.
Sallahu ka theksuar se administrata duhet e do të bëhet e tillë që mbi gjithçka tjetër në raport me të, të vlejnë ekspertiza, profesionalizmi, aftësitë, përgatitja, përgjegjësia dhe ndjenja e vetëdijes për ofrimin e shërbimit.
Ai njëherit ka shprehur gatishmërinë e plotë e të hapur për bashkëpunim e kontribut të shumanshëm, me qëllim për të arritur rezultate pozitive për të cilat, tha ai, synojmë e do të angazhohemi bashkërisht.