Në aktivitetin e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për lansimin e Raportit të Monitorimit të Gjykimit të Rasteve të Krimeve të Luftës në Kosovë, Zëvendësministri i Drejtësisë në detyrë, z. Genc Nimoni, theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë për forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e drejtësisë tranzicionale dhe garantimin e llogaridhënies për krimet e kryera gjatë luftës.
Gjatë fjalës së tij, Zëvendësministri Nimoni vlerësoi rëndësinë e monitorimit të pavarur të proceseve gjyqësore si një mekanizëm kyç për rritjen e transparencës institucionale, forcimin e standardeve profesionale dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
Në këtë kontekst, Zëvendësministri Nimoni theksoi se, që nga marrja e mandatit, adresimi i krimeve të luftës dhe drejtësia tranzicionale janë vendosur ndër prioritetet strategjike të Ministrisë së Drejtësisë, duke rezultuar në një sërë reformash dhe arritjesh konkrete, përfshirë themelimin dhe funksionalizimin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, hartimin dhe miratimin e Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale që mundësojnë gjykimet në mungesë për krimet e luftës, forcimin e kapaciteteve të Prokurorisë Speciale, si dhe avancimin e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Përfshirja e viktimave dhe qasja e bazuar në të drejtat e njeriut kanë qenë parime udhëheqëse në hartimin e politikave dhe masave, duke synuar që zëri dhe nevojat e viktimave të jenë në qendër të proceseve të drejtësisë tranzicionale”, tha Zëvendësministri Nimoni.
Ai ritheksoi se Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të punojë në zbatimin efektiv të Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale, fuqizimin e mekanizmave për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me partnerët ndërkombëtarë, si dhe avancimin e dokumentimit dhe ruajtjes së kujtesës institucionale.
Në përmbyllje, u vlerësua bashkëpunimi i vazhdueshëm me Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se rekomandimet e dala nga monitorimet e pavarura përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e kulturës institucionale të përgjegjësisë, duke rritur jo vetëm cilësinë e praktikës gjyqësore, por edhe besimin e publikut në institucionet e drejtësisë.