Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, mori sot pjesë në konferencën “Zbatimi i Marrëveshjes Kosovë-Danimarkë për transferimin e të burgosurve në Kosovë: Sfidat Ligjore, të Drejtat e Njeriut dhe çështjet operacionale”, të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës.
Në fjalën e tij hyrëse, Zëvendësministri Nimoni theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet daneze për ngritjen e kapaciteteve profesionale të Shërbimit Korrektues të Kosovës, përafrimin me standardet ndërkombëtare dhe garantimin e respektimit të të drejtave të personave të privuar nga liria.
Në këtë drejtim, mbi 40 zyrtarë nga Kosova kanë ndjekur dhe janë duke ndjekur trajnime gjashtëmujore në sistemin danez të burgjeve, ndërsa trajnimet po vazhdojnë në Danimarkë dhe Kosovë, me qëllim të përgatitjes së personelit për zbatimin e standardeve dhe praktikave profesionale.
Duke folur për rezultatet e angazhimit të Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zëvendësministri vuri në pah përfshirjen e tij në rrjetet ndërkombëtare EuroPris dhe ICPA, si dhe vlerësimin me çmimin e ekselencës nga ICPA në tetor të vitit 2025 dhe renditjen ndër pesë vendet e para në konferencën e këtij viti të EuroPris.
Një pjesë e rëndësishme e këtij angazhimi është edhe rehabilitimi dhe riintegrimi i personave të dënuar. Aktualisht, Shërbimi Korrektues i Kosovës zbaton 10 programe rehabilituese dhe rreth 20 trajnime për aftësim profesional, edukim dhe arsimim, me synim zhvillimin e aftësive dhe përgatitjen e tyre për riintegrim të suksesshëm në shoqëri. Pjesëmarrja në këto programe dhe trajnime ka përfshirë mbi 2,000 të dënuar, duke dëshmuar progres të theksuar gjatë 5 viteve të fundit.
Sa i përket zbatimit të Marrëveshjes Kosovë–Danimarkë, zëvendësministri Nimoni bëri të ditur se po vazhdojnë punimet për renovimin dhe përshtatjen e objektit sipas standardeve daneze, si dhe ndërtimin e punëtorive për angazhimin e të burgosurve në punë. Ndërkohë, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Shërbimi Danez i Burgjeve janë duke punuar në hartimin e procedurave për transportin dhe punësimin e të burgosurve.
Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës mbeten të përkushtuara në avancimin e sistemit korrektues të Kosovës, përmes forcimit të kapaciteteve institucionale, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zbatimit të standardeve më të larta profesionale.