Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, mori pjesë sot në tryezën e diskutimit dhe prezantimit të raportit rajonal “A duhet të ndryshohet Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në Kosovë?”, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Transparency International Kosova.
Gjatë diskutimit, Zëvendësministri Nimoni theksoi rëndësinë e rolit të sinjalizuesve si një mekanizëm i rëndësishëm në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, identifikimin e shkeljeve të ligjit dhe zbulimin e keqpërdorimeve dhe veprimeve të kundërligjshme që cenojnë interesin publik. Ai vlerësoi se garantimi i një mjedisi të sigurt për raportimin e shkeljeve dhe mbrojtja efektive e personave që sinjalizojnë janë thelbësore për forcimin e besimit në institucionet publike dhe sundimin e ligjit.
Me këtë rast, Zëvendësministri vuri në pah se, me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës, që nga viti 2021, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për fuqizimin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, përmes miratimit të Rregullores për Përcaktimin e Procedurës për Pranimin dhe Trajtimin e Rasteve të Sinjalizimit, si dhe të dy udhëzuesve për mënyrën e kryerjes së hetimit administrativ dhe mbrojtjen e personave që raportojnë në interes publik.
Tutje, Zëvendësministri Nimoni nënvizoi sfidat në zbatimin efektiv të kësaj kornize ligjore në praktikë, veçanërisht sa i përket garantimit të anonimitetit dhe konfidencialitetit, mundësisë së raportimit të drejtpërdrejtë tek autoritetet e jashtme kompetente, mbrojtjes nga veprimet hakmarrëse dhe qasjes në ndihmë juridike.
Në kuadër të diskutimit u adresuan edhe rekomandime konkrete të raportit lidhur me fuqizimin e mëtejshëm të këtij mekanizmi, përfshirë shqyrtimin e ndryshimeve eventuale ligjore në agjendën legjislative, përfshirjen e masave mbështetëse për sinjalizuesit, sigurimin e ndihmës juridike falas, sanksionet për raportimet e rreme, përcaktimin e kritereve të qarta për zyrtarët përgjegjës për sinjalizim si dhe mbikëqyrjen dhe rishikimin e vazhdueshëm të zbatimit të legjislacionit në këtë fushë.
Ministria e Drejtësisë mirëpret rekomandimet e institucioneve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe mbetet e përkushtuar në avancimin e kornizës ligjore dhe forcimin e mekanizmave institucional për mbrojtjen e sinjalizuesve.