Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, mori pjesë në konferencën rajonale “Nga Bashkëpunimi Rajonal drejt Veprimit të Përbashkët: Forcimi i Integritetit dhe Luftës kundër Korrupsionit në Evropën Juglindore”, ku prezantoi hapat e ndërmarrë me prioritet në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Përtej punës në vazhdimësi dhe finalizimit të procesit reformues në Kosovë, Zëvendësministri Nimoni theksoi rëndësinë e zbatimit efektiv të tyre në mënyrë që përpjekjet për reforma të shndërrohen në rezultate të prekshme.
“Përveç rezultateve të deritanishme në procesin reformues në Kosovë dhe sfidave e prioriteteve që na presin tutje, suksesi i procesit reformues varet nga zbatimi efektiv, integriteti më i fortë institucional dhe bashkëpunimi rajonal dhe ai me BE-në, që i shndërron përpjekjet për reforma në rezultate të prekshme”, u shpreh Zëvendësministri.
Në kuadër të panelit, ai veçoi miratimin e Pakos së Ligjeve kundër Korrupsionit në vitin 2022, e cila ka forcuar kuadrin ligjor në këtë fushë, rëndësinë e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, si dhe Pakon e Reformës në Drejtësi, të përbërë nga pesë projektligjet.
Tutje, përmendi rolin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, si institucion i specializuar, teksa vuri në pah hartimin e Strategjisë Shtetërore Kundër Korrupsionit dhe reformën e Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili tashmë ka filluar të jap rezultate, me synim forcimin e pavarësisë, integritetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin prokurorial.
Duke iu referuar treguesve ndërkombëtarë, Zëvendësministri Nimoni theksoi përparimin e Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të “Transparency International” për vitin 2025, vlerësimin në Indeksin Global të Krimit të Organizuar 2025, sipas të cilit Kosova ka nivelin më të ulët të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, si dhe pozitën e saj ndër vendet e rajonit me rezultatet më të mira në Indeksin e Sundimit të Ligjit të “World Justice Project” për vitin 2025, duke u renditur e dyta në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë diskutimit në panel, Zëvendësministri Nimoni konfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të vazhduar me vendosmëri reformat që forcojnë sundimin e ligjit, parandalojnë dhe luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe rrisin integritetin dhe llogaridhënien institucionale.