Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Ridvan Hoti, morën pjesë sot në takimin e Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike, të organizuar nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, ku u diskutua për proceset dhe rezultatet e reformës së administratës publike si dhe prioritetet tutje në këtë fushë.
Në fjalën e tij, Zëvendësministri Nimoni theksoi se nga perspektiva e Ministrisë së Drejtësisë, reforma në administratën publike lidhet ngushtë me sigurinë juridike, cilësinë e vendimmarrjes administrative, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe funksionimin efektiv të institucioneve.
Në këtë drejtim, Zëvendësministri Nimoni veçoi themelimin e Gjykatës Administrative, si gjykata e parë e specializuar në Republikën e Kosovës për trajtimin e konflikteve administrative dhe kontesteve të punës në sektorin publik.
Siç tha ai, ky mekanizëm i ri pritet të forcojë llogaridhënien e administratës, të rrisë efikasitetin në trajtimin e lëndëve dhe të kontribuojë në realizimin e të drejtës për gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm.
Zëvendësministri Nimoni foli edhe për kontributin e Ministrisë së Drejtësisë në avancimin e administratës së sistemit të drejtësisë, duke theksuar se në kuadër të Pakos së Reformës Gjyqësore janë miratuar në lexim të parë projektligjet për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilat përmbajnë dispozita të veçanta për administratën e këtyre institucioneve, duke synuar përmirësimin e kornizës ligjore, rritjen e efikasitetit dhe forcimin e sigurisë juridike.
“Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar që, përmes reformave ligjore dhe institucionale, të kontribuojë në një administratë më të ligjshme, më efikase, më transparente dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve”, u shpreh Zëvendësministri Nimoni.
Në kuadër të përpjekjeve për një administratë më efektive, Zëvendësministri bëri të ditur se është duke u zhvilluar edhe procesi i racionalizimit të agjencive.
“Për ne, reforma e administratës publike ka edhe një dimension të qartë europian. Integrimi europian nuk është vetëm harmonizim i ligjeve me të drejtën e Bashkimit Europian. Ai kërkon institucione që janë në gjendje t’i zbatojnë ato ligje në mënyrë profesionale, të paanshme dhe efektive”, u shpreh ai.
Në përmbyllje, Zëvendësministri Nimoni theksoi se reforma e administratës publike kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet ministrive, komunave, agjencive dhe institucioneve të pavarura.